Gjykata greke: Burg për ish-konsullin grek në Korçë, Ekonomu

Drejtësia greke dënon me një vit burg, ish konsullin grek në Korçë, Teodoros Ekonomu Kamarino dhe 2 ish punonjës të konsullatës.

Theodhoros Ekonomu Kamarino u dënua me një vit burg, tre vjet liri me kusht dhe një gjobë prej 5 000 eurosh, pasi u shpall fajtor “për ushtrim abuziv të detyrës së tij si konsull në Korçë”.

Padia gjyqësore e ngritur nga Ministria e Jashtme greke, marrë shkas nga disa letra anonime, lidhet me procedurat që ai ka ndjekur në dhënien e vizave greke për qytetarët shqiptarë, por në seancën e gjyqit është debatuar edhe rreth termave nacionaliste të përdorura prej tij gjatë punës në Konsullatë.

Ish konsulli hodhi poshtë akuzat dhe argumentoi se “gjykata nuk mund të gjykojë objektivisht një shërbim që është subjekt i marrëdhënieve ndërkombëtare”.
“Akuzat janë inekzistente. Unë kam marrë madje edhe kërcënime nga deputetë, avokatë dhe prodhues të frutave, sepse nuk jepja viza afatshkurtra për shtetasit shqiptarë, të cilët donin të vinin në Greqi për të punuar”, tha ndër të tjera diplomati grek, duke shtuar se akuza kundër tij bazohet në një letër anonime.

Ekonomu përmendi një protestë të çamëve të organizuar ditën e largimit të tij nga konsullata, në një kohë kur, siç tha, për largimin e tij kishte dijeni vetëm ish ambasadori grek, Nikolas Pazios.

Ndërkaq, një ish diplomat grek, Jorgos Aifantis, që kishte punuar me Kamarinos në Konsullatën greke në Bukuresht , dëshmoi në favor të ish konsullit.

Ai tha se arsyeja e vërtetë e këtij dënimi, është ngjarja në Korçë, ku u diskutua mbi pjesëmarrjen ose jo të grekëve në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë në Shqipëri në vitin 2011, regjistrim që do të përfshinte pyetje mbi etninë dhe fenë. Aifantis iu referua deklaratës së ish konsullit Ekonomu, i cili tha në atë takim duke iu drejtuar qytetarëve korçarë: “Shkoni të shihni varret e gjyshërve në çfarë gjuhe janë shkruar dhe pastaj vendosni si të veproni”. Krahas kësaj, Aifantis tha se ish-konsulli ka shqetësuar burokratët e Athinës, sepse në dokumentet në Ministrinë e Jashtme, në vend të termit “Shqipëria jugore”, ka përdorur termin “Epiri i Veriut” .

Në këtë kohë Prokurori i çështjes ndërhyri duke thënë se “Kjo zonë (Epiri i Veriut) nuk është më e jona. Ne duhet të përdorim termin “Shqipëria jugore”, dhe jo ashtu siç na pëlqen”. “Në Korçë zoti Ekonomu shkuat si konsull, jo për të bërë politikë patriotike dhe as për marrëdhënie të mira me diasporën”, tha prokurori para shpalljes së vendimit.

Në përfundim gjykata greke shqiptoi dënimin për ish konsullin dhe 2 ish punonjësit, vendim që u apelua nga avokatët, pasi sipas tyre, akuzat janë bazuar në ankesa anonime.

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
               Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT