Rama, policëve: Do ta bëjmë ferr për ata që kanë duart me gjak

“Një kohë ekstreme kërkon masa ekstreme dhe ne jemi gati për përballje ekstreme me krimin”.
Kështu u shpreh sot Kryeministri Edi Rama në repartin RENEA ku është trajnuar Njësia Operacioni Forca e Ligjit.
Rama ishte i pranishëm për të prezantuar ligjin special të miratuar dy ditë më parë, për masat pasurore.
“Tanimë ne kemi në dispozicion një instrument të jashtëzakonshëm në duart e shtetit. Ligji special. Kemi edhe një garanci më shumë që është SPAK-u. Kam shumë besim se jemi në kohën e duhur dhe kemi forcat e duhura për një ndryshim historik”, tha KM para trupës speciale të Policisë.
Rama shtoi se Atdheu duhet të bëhet i parehatshëm për krimin.
“Atdheu nuk mund të jetë sheshi për ta bërë përshesh ata që kanë lyer duart edhe me gjakun e oficerëve dhe policëve të vrarë. Atdheu duhet të jetë ferri i tyre”, tha ai ndër të tjera.
Një Njësi Speciale (OFL – Operacioni Forca e Ligjit) pas 6 muajsh trajnim, pritet të dalë në terren për të zbatuar “Ligjin Special” sic e quajti kryeministri.