Tre grupet që kërcënojnë sigurinë e Shqipërisë, nga kush duhet të ruhemi

Shqipëria është një prej vendeve të Rajonit që ka përmbushur detyrimin ligjor si vend anëtar i NATO për të miratuar një Strategji për Sigurinë Kombëtare, por e gjithë kjo ka mbetur në letër.
Pas letër-këmbimeve institucionale mes Policisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror janë përcaktuar tre grupet e rrezikut për Shqipërinë, prej të cilave masat janë shtuar, por strukturat parandaluese kanë rezerva në zbatim.
Në nivelin e parë janë grupuar rreziqet që kanë gjasa të larta shfaqjeje dhe pasoja të larta në rast se materializohen. Në nivelin e dytë janë grupuar rreziqet, të cilat ndërthurin gjasa të ulëta dhe pasoja të larta. Në nivelin e tretë janë grupuar rreziqet që kanë gjasa të ulëta shfaqjeje dhe pasoja më të kufizuara.
Këto përfundime janë arritur duke analizuar edhe dobësitë strukturore dhe institucionale që ndikojnë më së shumti në aftësinë tonë për t’u përballur me këto rreziqe.
Rreziqet e nivelit të parë kanë prioritetin më të lartë për sigurinë e RSH-së. Gjasat e shfaqjes dhe pasojat e tyre për sigurinë kombëtare vlerësohen të larta.
Por kush janë rreziqet e kategorizuara në vendin e parë?
Korrupsioni dhe krimi i organizuar; Kriza energjetike, që kërcënon sigurinë e furnizimit të RSH-së dhe cënon rritjen ekonomike; Mangësitë në kontrollin dhe administrimin e territorit, që kërcënojnë sigurinë individuale dhe favorizojnë trafiqet e ndryshme; Sulmet kibernetike nga aktorë shtetërorë ose joshtetërorë; Degradimi mjedisor dhe fatkeqësitë natyrore; shkatërrimi i mjedisit, shpyllëzimi, ndotja e lumenjve dhe fatkeqësitë natyrore industriale apo të shkaktuara nga ndikimi i njeriut.
Rreziqet e nivelit të dytë përbëjnë prioritet të nivelit të dytë për sigurinë kombëtare. Gjasat e shfaqjes së tyre vlerësohen të ulëta por me pasoja të larta për sigurinë. Sulm terrorist, përfshirë edhe përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë, kundër territorit të RSH-së; Shfaqje e një pandemie që kërcënon në masë shëndetin publik të popullsisë; Rritje e radikalizmit fetar, që rrezikon vlerat e harmonisë fetare në Shqipëri dhe që mund të shkaktojë tension shoqëror; Aktivizimi i një vatre rajonale tensioni me pasoja për sigurinë kombëtare të RSH-së; Sulm konvencional ndaj RSH-së ose ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Strategjia e Sigurisë Kombëtare.
Niveli i tretë i rreziqeve përbëjnë prioritet të nivelit të tretë për sigurinë e vendit. Gjasat e shfaqjes vlerësohen më të ulëta se niveli i mësipërm ndërsa pasojat për sigurinë kombëtare më të ulëta se niveli i mësipërm. Veprimtari subversive spiunazhi kundër interesave të RSH-së; Krizë financiare globale ose rajonale, që rrezikon stabilitetin e ekonomisë së Republikës së Shqipërisë; Pasojat e ndryshimeve klimaterike në ekuilibrat natyrorë të RSH-së; Rritje e emigracionit të huaj në territorin e Shqipërisë.