“Rashë në gjendje kome pasi dola nga gjyqi”, prej javësh i intubuar, flet avokati Saimir Vishaj: Truri nuk më furnizohej me oksigjen! Shtatori do më gjejë në seancë

Avokati Saimir Vishaj, përpos fitoreve në karrierë, ia ka dalë të mposhtë kundërshtarin më të madh të jetës së tij. Prej javësh, Vishaj ka qëndruar në gjendje kome duke luftuar me një sëmundje të rëndë, ndërsa tashmë gjendja e tij është stabilizuar dhe avokati ndodhet në fazë rikuperimi.
Në një intervistë për Top Channel, avokati i njohur tregon se prej javësh ka qenë në gjendje kome i shtruar në një spital në Milano ku i është dorëzuar një terapie intensive.
“Aktualisht jam në rikuperim e sipër, gjendja është e kënaqshme, i gjithë ekipi mjekësor është fokusuar në shëndetin tim, kalova një gjendje shumë të rëndë kome dhe intubim. Në Shqipëri mu dha ndihma e parë nga QSUT rreth 15 ditë, por ishte e pamundur të vazhdoja në atë qendër dhe menjëherë kam ardhur në qendrën shëndetësore San Raffaelo në Milano dhe u jam nënshtruar të gjitha analizave, edhe pse kam qenë në gjendje kome dhe nuk mbaj mend gjë.”
Avokati tregon se në momentin e parë që është ndjerë keq, ishte kur sapo doli nga një seancë gjyqësore duke rënë pa ndjenja në tokë, për tu zgjuar më pas në QSUT, ku dhe ka marrë ndihmën e parë.
“Kam qenë në një seancë gjyqësore, ku sa ka mbaruar seanca kam rënë në gjendje kome dhe jam zgjuar në reanimacion pranë QSUT. Aty më është dhënë ndihma e parë, por kam qenë i intubuar dhe nuk kam ditur çfarë ka ndodhur me shëndetin tim.”
Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua pasi një prej organeve nuk funksiononte normalisht duke dëmtuar kështu dhe mëlçinë, e më pas trupi nuk arrinte të prodhonte një substancë e cila furnizon trurin me oksigjen.
Ashtu siç dhe avokati tregoi ditën e djeshme nëpërmjet një video të postuar nga vetë ai teksa ushtrohej në palestër, Vishaj tregon se ndodhet në fazë rikuperimi dhe se së shpejti do t’i rikthehet normalitetit dhe punës së tij.
“Duket se kisha 35 vjet që isha shumë i lodhur nga puna, mbase dhe mungesa e kontrollit të vazhdueshëm bëri që të vij në këtë gjendje. Nuk kam pasur më parë shqetësime.
Çfarë mund të them ndryshe kur kam qenë mes vdekjes dhe jetës? Por shyqyr që ia dola… Besoj tani jam mirë, jam drejt rikuperimit… besoj shtatori do më gjejë në seancat gjyqësore.
Jo vetëm familjarë por dhe miq që kanë ardhur nga Shqipëria që më kanë vizituar… ju përqafoj të gjithëve…”, tha ndër të tjera Saimir Vishaj.