Mjeku Gjata: Jemi më mirë se skenari që kishim parashikuar, por lehtësimi i masave mund të na japë një goditje të dytë më të fortë se e para

Mjeku Arben Gjata shprehet se në bazë të statistikave dhe ecurisë së covid-19 në Shqipëri, jemi më mirë se skenari i parashikuar në nisje të epidemisë.
“Jemi më mirë sesa skenari më i mirë që kishim parashikuar. Në fillim të epidemisë, prisnim disa shifra të tjera, por falë masave dhe ndërgjegjësimit të popullatës, kemi shifra më të mira sesa parashikimet më pozitive që kemi patur”, u shpreh Gjata në A2.
Duke komentuar zërat për lehtësimin e masave, mjeku tha se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të ruajnë higjenën e distancimin social.
“Ajo që kanë në dorë qytetarët është distancimi social dhe ruajtja e higjienës personale. Para se të nisim hapjen, qytetarët duhet të jenë super të ndërgjegjësuar për ruajtjen e distancimit social”, shtoi ai.
Më tej, mjeku Arben Gjata tha se vendi ynë e ka kaluar pikun e infeksionit por duhet shumë kujdes me hapjen e masave pasi goditja e dytë mund të jetë më e fortë se e para.
“Kemi dy spitale Covid dhe kishim parashikuar edhe dy godina të tjera. Sot, mund të mbaheshim edhe vetëm me një spital. Besoj që e kemi kaluar pikun, por nuk jemi kurrë të sigurt që me rihapjen e aktiviteteve të mos marrim një goditje tjetër që të mos jetë shumë më e rëndë se e para”, përmbylli mjeku Arben Gjata.