Anti-shpifja Rama

Nga Bedri Islami
Ka disa kohë që vëmendja e mediave është përqendruar tek ligji i ri, i njohur si Antishpifja, i cili, si duket, po përgatitet të kalojë sot Kuvend dhe që, fare mirë, mund të ketë emrin e nismëtarit dhe këmbëngulësit të tij, shefit të qeverisë, Rama.
Ka shumë pikëpyetje rreth këtij ligji, kundërshtime të pafund, nga njerëz të mediave, publicistë, OJQ – që pak i pyet njeri, opozitarë – që kundërshtojnë pa e ditur mirë përse bëhet fjalë, ashtu si ka mbështetës nga qeveritarë, që po të ishin në opozitë do e kishin kundërshtuar; ka mendime të vlefshme, ashtu si ka edhe thirrje pa adresë, përplasje në studio dhe kolegë që kurrë nuk kanë qenë të një mendjeje kur ndodhen në studio dhe bien në një mendje kur janë jashtë saj, përplasje pa fund dhe, ndërkohë, një grup deputetësh, që me urdhër nga lart, do e miratojnë, si zakonisht pa e ditur se përse e ngrenë dorën.
Ka disa pyetje që duhen bërë:
A është kaq e rrezikuar media jonë, sidomos ajo e shpërfaqur në portale, nga mashtrimi, shpifja dhe gënjeshtra?
Duhet të jesh naiv të besosh se nuk është e rrezikuar! Është dhe do të vazhdojë të jetë, edhe pas miratimit të ligjit antishpifje. Nuk ndodh vetëm tek ne, ndodh kudo… edhe në shtete me ligje të rreptë, edhe në fushata presidenciale, edhe në bursat bankare.
Në Shqipëri mashtrimi është vulgar, dhe, si i tillë, megjithëse mund të “klikohet”, ai nuk përbën atë që mund të quhet thelbi i këtij ligji, që, edhe pa qenë ai, në Shqipëri, ka nene dhe procedura që e dënojnë shpifjen, mashtrimin, gënjeshtrën.
Ende pa u miratuar ligji, vetëm javën e fundit, janë dënuar shtatë portale për shpifje kriminale. Të gjitha me ligjet që kemi, këto të sotmit. Pra, një korpus ligjesh ekziston dhe ndoshta është i mjaftueshëm.
Përse Edi Rama po vrapon tani të miratojë këtë ligj?
Ka disa arsye. Të shumta, mund të themi. Që nga ato, të rëndësishmet, politike, mund të themi, e deri tek më ciniket e mundshme.
Në gjashtë vite, si rrallë herë, i gjithë shteti është përqendruar në një dorë të vetme. Të shefit të qeverisë. Financat, ekonomia, bujqësia, punësimi, politika e jashtme, ushtria, tenderët, PPP-të e famshme, OJQ-të, një pjesë e rëndësishme e mediave, rrugët, buxheti, koncesionet, në fund, edhe tërmeti, dhe citimi i kuranit apo i biblës.
Asnjë nga pronarët e mëdhenj të mediave të mëdha nuk e ka kundërshtuar ligjin “Rama” dhe as që guxon ta kundërshtojë, nëse nuk janë vetë sponsorë të këtij ligji. Ata vetë janë të nënshtruar. Nëse, në disa media shtypi, apo emisione TV, bëhen debate të zjarrta, ujët për t’i shuar ato, përmes heshtjes, e kanë pikërisht pronarët. Nëse nuk e bëjnë, ata i dinë pasojat. Nëse mediat, pronë dhe kanal i opozitës, po e ndalin gjithë turrin e tyre tek portreti politik i Ramës, kjo nuk ka të bëjë me ligjin, por me betejën që vazhdon prej kohësh, duke vënë gjithçka në lëvizje, deri tek viktimat e tërmetit. Një opozitë që mendon të vijë në pushtet përmes vdekjes, është vetë e pajetë.
Edi Rama nuk e ka me këto… është mundësia e fundit ligjore për të dëshmuar më tepër se sa forcë në krijimin e një ligji, sipas parimit të shpallur “kap çfarë të kapësh”, kur ende i ka të gjitha mundësitë, të cilat ia dhuroi kundërshtari i tij politik, duke deleguar në parlament, jo mendje, por numra.
Është herë e parë që shteti po i tregon medias forcën, përmes një ligji, i cili, edhe pse mund të miratohet, është antikushtetues. Ai i vendos mediave kufirin deri aty ku e do shefi i qeverisë, krijon një artificë gjykatësish, të cilët do e tundin kërbaçin, sa herë do u bëjë shenjë shefi i qeverisë; do të krijojë gardhimin e mediave, sepse mund të digjet kushdo, edhe ai që dyshon për një rast edhe ai që shpif për një rast tjetër. Nëse dikush do të fillojë të investigojë dhe të hedhë hapat e para të zbulimit të një skandali, a do të mund të ndëshkohet nga ligji antishpifje? Megjithëse një institucion i besuar që monitorin Shqipërinë u kishte dërguar të dhëna të sakta disa mediave rreth pikëpyetjeve të një fondacioni, pak kush synoi të hetojë, pasi, si kurrë më parë, njeriu që duhej të investigohej, qoftë edhe për të hequr dyshimin, ishte në krahun e majtë të shefit të qeverisë. Po sikur nesër të duhet të investigohet apo, edhe më tej, të hetohet, vetë shefi i qeverisë, për koncesionet e çmendura, për PPP-të shkatërruese, si një humnerë financiare, për rritjen galopante të mbështetjeve financiare që u bëhet oligarkëve pranë tij, për bosët që po shfrytëzojnë barbarisht pasuritë minerare, naftën, kromin e bakrin, për gjakun e derdhur të minatorëve nga babëzia. kush do e mbrojë një gazetar të zakonshëm, me një pagë qesharake?
Edhe kur Rama i drejtohet një qeni të rrugës si opinionist apo analist, askush nuk proteston, askush nuk e braktis, askush nuk largohet nga ecja pas tij, pasi, edhe nëse kanë dëshirë ta bëjnë këtë, urdhri i shefave të mëdhenj është i qartë: ndiqeni pas!
E deri kur?
Cili ka të drejtë ta perceptojë e trajtojë një media si “kazan”, si “ bjerrakote”, kush do e përcaktojë dënimin ndaj saj, cila trupë do të jetë gjykatësja e parë, që, edhe nëse nuk dënohet më pas, i vë asaj damkën e një medie pronë e shpifjes?
Shtypi shqiptar, në fakt, më shumë se i besuar, është i pabesuar. Ai nuk është dëmtuar aq shumë edhe kur një ish president i digjte redaksinë, as kur ia mbyllte hyrjet dhe vendoste policë si roje, as kur i dënonte me burg disa sysh, por kur i bënte ata të pabesuar. Tani, duke shpallur ligjin antishpifje, shenja e dyshimit do të vihet mbi të gjithë, sepse, për një tekë të AMA-s, ose një urdhër dhënë asaj, gjithkush mund të jetë viktimë e këtij ligji – antiligj. Përmes këtij ligji, ndikimi i mediave nuk do të rritet, por do të bjerë edhe më tej; ndëshkimi do i vijë nga humori i shefit të qeverisë dhe, megjithëse përbetohet se nuk lexon asnjë radhë, mund të jetë i vetmi shef qeverie i tillë, ai e di se, ashtu si ka ardhur në pushtet përmes mbështetjes së mediave, ashtu edhe do të ikë prej saj. Lufta që i ka shpallur mediave do të vazhdojë gjatë, shumë gjatë, përfitimet e ligjit do të jenë shumë më të pakta se sa humbjet, frika dhe droja prej tij do të jenë më të mëdha se sa hapësira që mund të hapë, e vërteta do të jetë shumë më e vogël, dhe përplasjet mes një strukturë që kthehet në gjyq dhe të gjykuarve, do të jenë shumë më rrezikshme.
Edi Rama, me mjeshtëri po e kthen vëmendjen mediale nga tërmeti, pasojat dhe parandodhitë e tij tek përplasja me mediat, por këtë nuk e bën vetëm për sot. Ai mendon shumë përtej saj. Dhe do e bëjë këtë para krijimit të gjykatës kushtetuese, e cila do ia kthejë përsëri në tryezë, por që, deri atë kohë, do të ketë kurbanet e saj, disa të merituar e të tjerë, të vënë në shënjestrën e një strukture, që fare mirë mund të jetë e verbër.
A mund të jetë, pas miratimit të këtij ligji, fati i një portali në duart e një grushti nëpunësish, qofshin në AMA apo në AKEP?
A mund të përsëritet historia e ligjit “berishian” i cili vendoste censurën mbi mediat dhe që u shfuqizua vetëm në vitin 1997, kur vetë Berisha iku nga pushteti?
A duhet të ikë dikush nga pushteti që ligji të shfuqizohet edhe një herë?
Ligji “Antishpifje Rama” është në kohën e fundit që të jetë ashtu si dikur ai vetë ka shkruar: i qartë, i saktë, që të ketë lirinë e duhur.