Koronavirusi sjell paqe në politikë, Meta i shtrin dorën Ramës: Duhet bashkëpunim!

Konfirmimi i dy rasteve të para me koronavirus ka bashkuar politikën si kurrë më parë. Pas Lulzim Bashës, edhe presidenti Ilir Meta ka dalë në mbështetje të qeverisë për të përballuar situatën.

Në një konferencë për mediat, presidenti Meta tha se vlerëson masat e marra nga qeveria, ndërsa bëri thirrje për qetësi. Kreu i shtetit iu kërkoi qytetarëve që t’i binden institucioneve qeveritare.

“Sot u konfirmuan zyrtarisht, dy raste të të prekurve nga koronavirusi. Duke iu uruar shërim të shpejtë, shpreh solidaritet me ta dhe ekipin mjekësor. Duke vlerësuar masat e marra nga institucionet përgjegjëse shtetërore, përfshirë edhe vendimet e qeverisë, ftoj qytetarët që të respektojnë me përpikmëri këshillat e institucioneve shtetërore. Nuk ka vend për panik, por as për nënvlerësim nga institucionet dhe qytetarët. Në këtë situatë kërkohet përgjegjësi dhe bashkëpunim. Për këtë arsye mbështes fuqimisht mjekët dhe infermierët”, tha Meta.

Meta bëri thirrje për angazhim të të gjitha strukturave shtetërore për përballimin e situatës

“Apeloj angazhimin e të gjithë strukturave shtetërore të marrin masa për sigurimin e jetës së çdo qytetari. Të sigurohen mjetet e domosdoshme për mjekët dhe infermierët, të dizinfektohen ambientet publike. Si president po e ndjek situatën hap pas hapi. Do bëj çdo gjë për të qenë pranë qytetarëve. Të gjenden fondet e nevojshme”, tha presidenti.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT