Meta letër KE-së: Ndalni mbështetjen për Ramën! Po gërryen demokracinë dhe sundimin e ligjit

Presidenti Ilir Meta i ka nisur një letër Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varhelyi ku shpreh keqardhjen për përshkrimin që i bëhet në raportin e progresit përplasjes mes tij dhe mazhorancës sa u takon emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
“Nuk mund ta fsheh keqardhjen kur lexoj “fotografimin e fakteve” që lidhen me proceset e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese, ku ju citoni: “Ka një përplasje për një nga gjyqtarët e emëruar së fundmi, për shkak të dallimeve në interpretimin e procedurave të emërimeve nga Presidenti i Republikës”. Në fakt, ka një përplasje përsa i takon interpretimit të procedurave, por kjo përplasje është pasojë e interpretimit të mazhorancës socialiste, që kërkon kapjen edhe të Gjykatës Kushtetuese në vend dhe përshkallëzimin e krizës në Shqipëri”, thuhet në letrën që Meta i ka dorëzuar zyrtarit të BE-së më 3 mars.
Më pas, letra vijon me renditjen shkurtimisht të argumenteve të Presidentit në lidhje me emërimet në këtë gjykatë dhe theksohet se institucioni i Presidentit ka zbatuar me përpikmëri udhëzimet e Kushtetutës dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias për këtë proces.
“Por, oreksi politik i mazhorancës socialiste synon që ta prishë këtë balancë dhe të vendosë kontrollin politik mbi gjykatën”, shkruan Presidenti Meta në letrën dërguar Komisionerit të Zgjerimit.
Presidenti e njofton Komisionin se ka bërë publike të gjitha dokumentet zyrtare dhe ka ngritur padi penale për shkeljet ligjore, që sipas tij, janë kryer nga kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie me Qendrën e Botimeve Zyrtare.
“Për t’i ndërlikuar akoma më shumë gjërat, ju vë në dijeni se mazhoranca kaloi në Parlament një ligj antikushtetues, duke ndryshuar procedurat e betimeve të gjyqtarëve kushtetutues para Presidentit të Republikës duke shkelur nenin 129 të Kushtetutës. Më lini t’u kujtoj që ky ligj u miratua në ditën që ekspertët e Komisionit të Venecias erdhën në Tiranë për opinionin e tyre për këtë çështje”, vijon letra e Presidentit.
Meta njofton Komisionerin Varhelyi se mazhoranca pretendon në mënyrë spekulative se gëzon mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian për ligjet që ai i cilëson antikushtetuese dhe se për këtë kishte kërkuar një qëndrim zyrtar nga misioni EURALIUS, informacion që nuk e kishte marrë.
“I vetmi aktor që në mënyrë të pashpjegueshme nuk u është përgjigjur një sërë kërkesësh të Presidentit të Shqipërisë deri më sot është zyra e EURALIUS-it, që si rregull duhet të ndihmojë autoritetet shqiptare në çështjet ligjore që lidhen me reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian”, thotë Meta.
Presidenti e mbyll letrën duke i kërkuar Komisionit Europian që të mos mbështesë gërryerjen e demokracisë dhe të shtetit ligjor në vend.
“Në kohën që Komisioni bën përpjekjet maksimale për të bashkëpunuar me çdo qeveri shqiptare, unë besoj se duhet të ketë në mendje interesin më të lartë të qytetarëve shqiptarë. Çdo mbështetje e mëtejshme e erozionit të demokracisë dhe të sundimit të ligjit në vendin tim, nuk bën gjë tjetër veçse përshkallëzon krizën aktuale dhe nxit shpopullimin e Shqipërisë. Unë do të qëndrojë me bindje në mbrojtje të integritetit të Gjykatës Kushtetuese, si e vetmja shpresë për një qeverisje llogaridhënëse dhe sipas parimit të ndarjes së pushteteve”, vijon më tej letra.
Presidenca vetë nënkupton se nuk e ka pasur në plan publikimin e kësaj letre, por thotë se vendosi që ta publikojë në llogaritë zyrtare të Ilir Metës në rrjetet sociale për të shmangur çdo keqkuptim, që mund të krijohej, pasi sipas Presidentit letra është publikuar nga burime të mazhorancës me qëllim keqinterpretimin e saj.
“Meqënëse burime nga mazhoranca kanë servirur për një televizion, letrën zyrtare të Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta drejtuar Komisionerit për Zgjerimin, për të krijuar keqkuptime, po detyrohemi ta publikojmë të plotë për të shmangur çdo interpretim dashakeq.


