Shqipëria në organizatën 100 milionë dollarëshe për krimin dhe terrorizmin

Jo gjithmonë të këqijat të mposhtin. Të paktën, kështu ndodhi me Princin Albert të Monakos në vitin 1914 të shekullit të shkuar. Ai, që do ngrinte një nga perandoritë më të njohura të bixhozit në botë, ishte i shqetësuar, që kazinotë e tij të mrekullueshme, që u turbullonin mendjen të kamurve kudo në Evropë, kishin filluar t’i sulmonin mashtrues nga i gjithë kontinenti.
Dhe, jo vetëm nga kontinenti. Ishin bërë aq të sofistikuar saqë policia lokale, as nuk llogaritej më për t’i luftuar. Vetëm se Princi kishte qëlluar largpamës. Pak javë më vonë, 20 krerë policie të vendeve të ndryshme, arriti t’i mblidhte në një tryezë për të folur. Në fakt, kuptohet jemi në prag të Luftës së Parë Botërore. Bota, ka gjëra të tjera për të zgjidhur…, por Princi ishte i pari që i bëri 20 burra të mendonin për krimin, me një kokë të vetme.
Që prej kësaj kohe lindi ajo që vite, shumë vite më vonë do të quhej INTERPOL, një polici që vepronte në çdo shtet e që bënte marrëveshje antikrim. Dhe pyetja nëse është e vërtetë se aty ku është krimi më i fortë, atje është edhe policia më e forte e kishte të shpejtë përgjigjen “jo gjithmonë”!.
Edhe Shqipëria ka strukturën e saj Interpol. Janë qindra shqiptarë, që janë të ruajtur në serverin kryesor të Interpolit, me qendër në Lion të Francës, ku midis shumë të kërkuarve nga e gjithë bota pa asnjë dyshim që ka edhe shumë shqiptarë.
Për hir të së vërtetës, emrat, gjeneralitetet e përdorura, personat e kërkuar, precedentët penalë të shtetasve shqiptarë u shtohen serverave të Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit në Lyon të Francës.
Shqipëria u pranua si anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Policisë Kriminale në 1991, pas një vendimi që u mor në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që sot mendohet si organizata e dytë për nga shtrirja pas asaj të Kombeve të Bashkuara.
Shqipëria u pranua me 90 vota, ndërsa votuan dy kundër saj dhe po kaq abstenuan. Por pranimi në Interpol do të thoshte që këtej e tutje Shqipëria ishte pjesëtare e familjes së madhe të luftës kundër krimit, së bashku me 187 vende anëtare me të drejta të barabarta.
Sot, Zyra Qendrore Kombëtare e Interpol Tirana është strukturë e Ministrisë së Brendshme dhe bën pjesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, konkretisht në Departamentin për Hetimin e Krimit.
Dhe janë vetëm disa emra që përfunduan në pranga, vetëm se ka një marrëveshjes të Interpo. Kastriot Jaupi, Lul Cakaj, Astrit Gjipali, Arben Gjokeja , Sokol Sinemataj dhe shumë e shumë të tjerë janë vetëm disa prej emrave që qarkulluan në lista sekrete në 187 vende, prej nga dhe u arrestuan.
Në serverin shqiptar të Zyrës Qëndrore të Interpol Tirana gjendet një numër i madh i personave te kërkuar që kanë kryer krime në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe jashtë tij. Këto të dhëna ndodhen tashmë edhe në database-n e IPSG në Lion, ku kuptohet se përveç të dhënave juridike janë edhe elementët për identifikim si shenjat të gishtërinjve, përshkrimi i saktë i të kërkuarit, gjatësia, gjuhët që përdor, krimi që ka kryer, vendet qe frekuenton etj.
Por, ka një kusht. Interpol punon gjithmonë duke respektuar “Kushtetutën”, që është një bibël, për punonjësit e saj dhe me kohë struktura e Lionit e ka sofistikuar operativitetin e saj, në një masë të paparë. Interpoli ka një sistem sigurie të jashtëzakonshëm përsa i përket sistemit të shkëmbimit të informacionit që është 24/7, që do të thotë operativ në 24 orë të ditës dhe gjatë 7 ditëve të javës.
Interpoli u krijua në Austri më 1923 me emrin Policia Ndërkombëtare Kriminale (ICP). Por , ajo nuk do të jetonte gjatë sepse pas Anschluss-it, kontrolli i organizatës ra nën Gjermaninë e Fyhrerit, që e zhvendosi në Berlin kuartierin e saj dhe mandej u përdor gjerësisht nga nazistët.
Që nga viti 1938 deri më 1945 Shefat e INTERPOL-it ishin gjeneralët SS Otto Steinhäusl, Reinhard Heydrich (gjenerali që njihet si ekzekutuesi kryesor i Programit të “Zgjidhjes Finale të Çështjes Hebreje”, Arthur Nebe (nën përgjegjësinë e të cilit u ekzekutuan 46.000 njerëz) dhe Ernst Kaltenbrunner.
Mbarimi i luftës ishte tragjik dhe për këtë organizatë që në fillimet e tij pretendonte shumë. Kishte humbur komplet madhësia e të dhënave, derisa thuhet që rastësisht një oficer gjerman i kishte ruajtur dhe u’a kishte dhënë te dhënat francezëve.
Më vonë, çuditërisht ishte vetëvrarë. Më 1946 zyrtarët e policisë nga 17 vende u takuan në Bruksel dhe rithemeluan ICP duke e adoptuar emrin e thjeshtë telegrafik Interpol, me të cilin ne e njohim sot. Organizata pati shumë dominim francez dhe thuhet se megjithë mbledhjet e ndryshme në të gjithë botën për të tërhequr vëmendjen e anëtarëve dhe për të rritur kredibilitetin dhe gamën e problemeve, ajo ndryshoi vetëm më 1985, kur në krye të saj u zgjodh një veteran skocez Rymond Kendall.
Nga ai filloi modernizimi i këtij subjekti. Thuhet se ai e gjeti strukturën ende me modelin e letrave zyrtare, që u ngjanin atyre të vitit ’50 dhe disa vende madje bashkëpunonim njëra me tjetrën ende me kodin Mors.
Ai bëri një revolucion duke luftuar cilësisht krimin, drogën dhe përsosi operacionet kriminale. Një vit më vonë, Interpol u sulmua dhe u dëmtua, ndërsa një ndërtesë e re në formë kështjelle do të realizohej për të në Lion, ku gjendet dhe sot.
Shqipëria nuk mori pjesë në vitet e saj të izolimit dhe duket se nuk e përfilli fare Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, ashtu si shumë institucione të tjera ndërkombëtare. Derisa erdhi viti 1991 dhe Shqipëria është një nga 187 vendet, që me një kontribut prej 100 milion USD që ka organizata, luftojnë ngado krimin dhe pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001 edhe terrorizmin.