Reciprociteti me Serbinë nuk kalon nga heqja e taksës

Nga Edison Balla - Gazeta SHQIP

Vendosja e taksës 100% ndaj mallrave serbe mund të themi me bindje që ka qenë një nga vendimet ose më saktë vendimi më i rëndësishëm, për të cilin do të mbahet mend Ramush Haradinaj si kryeministër i Kosovës.

Ky vendim duhet thënë që është shoqëruar me aludime e kritika nga faktorë të brendshëm politikë, por ashtu edhe nga faktorët ndërkombëtarë. Më e prerë dhe më konçize ka qenë Amerika e cila që në fillim e ka kritikuar këtë vendim, duke paralajmëruar se ky vendim  mund të dëmtojë më tej marrëdhëniet e fqinjësisë mes Serbisë dhe Kosovës.

Ndaj edhe me ardhjen në qeveri të kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurtit, ndër vendimet e para që ai mori ishte heqja e përshkallëzuar e taksës ndaj mallrave serbe e boshnjake me qëllim kështu për të qenë në linjën amerikane, por edhe për të rinisur dialogun me Serbinë.

Heqja e taksës për mallrat serbe nga qeveria e Kosovës ishte një kusht disi i njëanshëm, pasi nga ana tjetër Serbisë nuk iu kërkua të bënte apo të tërhiqej nga ndonjë vendimarrje, siç në fakt Albin Kurti priste.

Por përtej këtij diskutimi qeveria e Kosovës edhe duke shpërfillur thirrjet e ish kryeministrit Haradinaj vendosi heqjen e taksës.

E për Serbinë kërkesa nga ana e Albin Kurtit ishte e qartë: Ndalimi i fushatës për mosnjohjen e shtetit të Kosovës. Kujtojmë këtu që Serbia po bën prej kohësh në fakt një fushatë të madhe që jo vetëm Kosova të mos njihet nga shtete të tjera që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj, por madje edhe ata që e kanë bërë tashmë një gjë të tillë të tërheqin njohjen.

E kur nga të gjithë në fakt me vendimin e qeverisë së Kosovës për heqjen e taksës pritej të paktën një zbutje në qëndrimet e politikës zyrtare të Beogradit, në kuadër të procesit të njohjes së pavarësisë së Kosvës, duket se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe ka pak gjasa të ndodhë.

Këtë e ka lënë të kuptohet vetë Albin Kurti, i cili ditën e sotme ka reaguar duke thënë se vullnetit të tij për heqjen e takës, qeveria serbe po i përgjigjet me intensifikim të fushatës për çnjohjen e Kosovës. Madje për të ndaluar këtë ai ka kërkuar rritjen e trysnisë nga Brukseli zyrtar dhe SHBA-të.

Pra është e dukshme që heqja e taksës nuk është veprim që kënaq qeverinë serbe, por se çfarë pret ajo më shumë këtë mbase do duhet ta thonë faktorët ndërkombëtarë ose vetë presidenti serb Vucic i cili mesa duket jeton akoma me lavdinë e dikurshme.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT