EMRAT/ Gara për kreun e SPAK, kush janë katër kandidatët që kërkojnë vendin e Altin Dumanit

SPAK-u në fund të vitit pritet të ketë një drejtues të ri, ashtu siç e përcakton ligji që mandati i kreut të institucionit është trevjeçar dhe zgjedhja e tij bëhet në KLP.
Sipas ligjit, në KLP ka votim me kandidatura alternative. Votohet pasi kandidatët paraqesin platformat e tyre dhe bëhet zgjedhja e drejtuesit të ri të SPAK-ut. Drejtuesi i parë i këtij institucioni në themelimin e tij ka qenë Arben Kraja. Më pas, tri vite më parë, më 16 dhjetor të vitit 2022 në krye të SPAK-ut u zgjodh zoti Altin Dumani.
Dumani në tri vite shkroi epokën e tij në krye të këtij institucioni, jo vetëm si drejtues, por edhe si prokuror. Një epokë që le një standart të lartë profesional dhe integriteti.
Me aktet e forta dhe veprimet e pandalshme duke goditur krimin, kupolën e tij, por dhe politikën e korrupsionin, Dumani tregoi se me ndershmëri dhe duke zbatuar ligjin prokuroria mund të çojë në bankën e të akuzuarve edhe ata që quheshin “të paprekshmit”
Përtej një vlerësimi që tashmë dihet publikisht, kjo për shkak edhe të mbështetjes së gjerë publike që ka zoti Dumani, SPAK-u do të ketë nevojë për standardin e tij, integritetin dhe profesionalizmin.
Gjithsesi, këto tri vite të Altin Dumanit në krye të SPAK-ut janë përtej të lavdërueshmes, ashtu siç e theksuam më sipër, janë një epokë, jo vetëm për institucionin, por edhe për Shqipërinë.
Janë një rrugë e shtruar drejt për të shkuar në BE duke luftuar krimin dhe korrupsionin dhe mjafton që me vullnet, përkushtim dhe integritet profesional gjithçka ta bësh më të thjeshtë. Kjo nuk është e rastësishme dhe nuk është thjesht puna e një hetuesi apo prokurori që qëndron dhe udhëzon pas një tavoline. Është një betejë e fortë, e vazhdueshme deri në gjunjëzimin e krimit dhe korrupsionit.
Janë me qindra persona të arrestuar dhe të shpallur në kërkim, grupet kryesore kriminale në vend janë të shpartalluara dhe nën akuzë krerët e tyre, politikanë nga zyrtarë më të lartë të shtetit, ish-Presidentë, ish-kryeministra, ministra, kryetarë bashkish, të cilët SPAK-u i ka çuar me akuza dhe u ka provuar veprat e tyre penale.
Altin Dumani do të largohet nga kreu i SPAK-ut dhe institucioni do të ketë një drejtues të ri, por gjithsesi ai ngelet prokuror në këtë institucion. Sipas të dhënave nga burime të saj jozyrtare, deri në momentin e tanishëm janë katër emra që mund të garojnë për kreun e këtij institucioni.
Adnan Xholi është emri më i përfolur deri tani në garën për kreun e SPAK-ut. Xholi është një nga njerëzit që qëndron dhe e kemi parë shpesh në krah të majtë të Dumanit në komisionet parlamentare apo takimet e tjera publike.
Është një prokuror me eksperiencë dhe në një tjetër shkrim CNA do të sjellë CV-në e plotë të tij profesionale dhe deklarimin e tij të pasurisë.
Emri i dytë është Vladimir Mara. Një tjetër prokuror në SPAK, një emër që pretendon. Në disa dosje dhe arrestime tëbujshme qëndron firma e tij Emri i tretë në garë është Klodian Braho, prokurori i dosjes “5D” dhe inceneratorit të Elbasanit. Emri i katërt, jo i fundit dhe jo më i parëndësishmi, është Anita Jella. Një prokurore me integritet dhe në rast se do të zgjidhej ajo për herë të parë SPAK-u do të kishte një zonjë në krye të institucionit.