“As serbi nuk na e bëri këtë”/ Të moshuarit në lot pas prishjes së objektit në Valbonë

IKMT ka vijuar aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje në Luginën e Valbonës edhe gjatë ditës së sotme.
Banorët shprehen mes lotësh se sa me mund i kanë ndërtuar objektet të cilat po prishen nga IKMT.
“Plot ilaçe jam këtu…për të ngrënë një copë bukë, për asgjë tjetër nuk e kemi. Të tre fëmijët po qajnë, për një copë bukë e bëmë. Sivjet e bëmë, shiko si jemi tani”-shprehet e moshuara mes lotësh.
“As serbi nuk na e bëri këtë! Shqiptari shqiptarit nuk i bën kështu! Kërkojmë vetëm të na lënë në paqe, të mos na prishin shtëpitë,” thotë i moshuari tjetër duke u shprehur se qeveria po ushtron një masakër ndaj banorëve vendas dhe turizmit modest që mbështetet mbi këto ndërtime të thjeshta.
Në total, janë planifikuar për t’u prishur 22 objekte. Deri tani, IKMT ka prishur 3 objekte, ndërsa 16 të tjera janë në proces çmontimi nga vetë banorët, 3 objekte të tjera mbeten ende për t’u shembur.