Amerikanët ngelin në klasë SPAK-un, raporti i DASH zbulon problemet e mëdha në Shqipëri: Ç’tregojnë shifrat për bizneset dhe PPP-të

Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit për Shqipërinë nxjerr në pah një sërë problematikash, kryesisht në fushën e drejtësisë, puna e SPAK dhe BKH-së ndërsa në këtë analizë flitet edhe për sfidat e mëdha në sektorin e biznesit dhe PPP-ve.
Në raport thuhet se Shqipëria vazhdon të ketë probleme në fushën e investimeve dhe sundimit të ligjit, çka ndikon negativisht në klimën e përgjithshme të të bërit biznes.
Sipas analizës së DASH, sistemi gjyqësor i dobët, mungesa e transparencës, korrupsioni, pastrimi i parave nga krimi dhe ekonomia informale po dëmtojnë bizneset, duke shtrembëruar zinxhirët e konkurrencës në treg.
Gjithashtu, raporti thekson se bizneset raportojnë ndërhyrje të paligjshme, shantazhe dhe presion nga aktorë të administratës publike, media dhe grupe të organizuara kriminale. Edhe pse qeveria shqiptare ka ndërmarrë përpjekje për të rritur transparencën në tenderime përmes platformës “Open Procurement” dhe digjitalizimit të shërbimeve publike, por realiteti në terren mbetet problematik.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga DASH në këtë raport lidhet me mënyrën e zbatimit të kontratave të partneritetit publik-privat (PPP), ku thuhet se shumica e tyre janë hartuar pa analizë të thelluar dhe me mungesë të ekspertizës profesionale. Kjo ka kufizuar pjesëmarrjen e investitorëve të huaj dhe ka krijuar terren për favorizime.
Sipas raportit të DASH, SPAK dhe BKH po veprojnë me ritme të ngadalta sa i përket luftës kundër korrupsionit dhe zbatimit të reformës në drejtësi.