Ish-drejtuesja e Burgut apel për shoqërinë shqiptare: Kthejini sytë nga fëmijët, ndryshe ky vend po shkon për dreq!

Xhoi Jakaj, profesoreshë dhe ish-drejtuese e Burgut të Grave, bën një apel të fortë për shoqërinë shqiptare, që t’i kthejë sytë nga të rinjtë; adoleshentët në nisje të këtij viti të ri shkollor.
Apeli i saj u drejtohet politikanëve, mediave dhe gjithë shoqërisë pa përjashtim, të tregojnë vëmendje dhe kujdesin e duhur për fëmijët.
“Thirrje për ata që kanë pushtetin në dorë , ata që kanë sy për të lexuar dhe mend me u marrë me fëmijet e tyre , por edhe të Shqipërisë plot me të rinj, që kanë braktisur shkollën dhe përqafuar krimin e rrugën!
O njerez, o gazetare, o politikane, o pronarë mediash ktheni sytë nga adoleshëntet dhe të rinjtë; Ndryshe ky vend po shkon për dreq”, shkruan Xhoi Jakaj.
Si autore e librave për të rinjtë, ajo ndalet dhe te ngjarja që përgjaku dje kryeqendrën e veriut, në ditën e parë të shkollës.
“Mbrëmë në ditën e parë të shkollës, gjitha mediat në praitaime sollën emisione me vrasje, armë, killera, luftë, etj etj…
Në vend të emisioneve plot me vrasje, krime dhe tragjedi në të gjitha mediat, mund të kishit zgjedhur të transmetonit një program për arsimin, dijen, mësuesin model, shkollën që sjell risi, etj etj etj”, vijon reagimi.
Xhoi Jakaj thekson se arsimi është arma më e fortë kundër injorancës, dhunës dhe krimit, ndaj sipas saj këtu duhet të përqëndrohen përpjekjet e të gjithëve ne.
“Ndoshta po të investonim më shumë në arsim dhe më pak në lajme me kriminele, do të kishim më pak lot dhe stres! Provojeni një herë dhe j’u o gazetarë!
Një arsimim i mirë mund të jetë vendimtar për ta larguar një të ri me prirje drejt krimit, e ndihmoni një djalë që mund të jetë në rrezik të bëhet pjesë e kontingjentit kriminal me lajme të tilla, jo dhe jo, ai nxitet me shumë“, përmbyll ajo.