“25 euro koncert, 40 euro fluturimi, 30 euro Airbnb në Tiranë, për mua ishte ofertë e jashtëzakonshme”

Kur në fund të majit 2025, grupi i njohur gjerman Keinemusik solli mbi 15,000 spektatorë në Tiranë, mes të cilëve më shumë se 7,000 turistë të huaj, shumëkush e pa si një nga ngjarjet më të mëdha muzikore të vitit.

Por ndikimi i këtij eventi nuk u mat vetëm me numrin e pjesëmarrësve apo klikimet në rrjete sociale.

Hotelet e kryeqytetit u mbushën, restorantet raportuan rritje të ndjeshme të të ardhurave, transporti urban dhe privat përfitoi nga fluksi, ndërsa biznese të tjera – nga lokalet e natës te shërbimet teknike – u gjallëruan.

Për themeluesen e AP Connection, Anyla Pula, ky ishte një tregues i qartë: muzika po bëhet motor ekonomik real për Shqipërinë.

“Ndikimi i Keinemusik ishte konkret në turizëm dhe ekonomi: rritje e rezervimeve në hotele, konsum i lartë në bare e restorante, si dhe gjallërim i bizneseve vendase.

Ky është dimensioni i ri i tregut kulturor shqiptar”, thekson ajo.

Koncerti i Keinemusik e vërtetoi këtë dimension edhe në shifra konkrete. Me një çmim mesatar prej 70 eurosh për biletë dhe një audiencë prej 15,000 personash, të ardhurat nga shitja e biletave arritën mbi 1 milion euro, duke dëshmuar se organizimi i eventeve të tilla është një aktivitet me përfitime të larta financiare.

Vetëm pjesëmarrësit e huaj, rreth 7,000 turistë, gjeneruan mbi 490 mijë euro në të ardhura direkte

Vera 2025 shënoi një rekord të ri: mbi 40 festivale dhe koncerte madhore u zhvilluan nga maji deri në shtator. Në një vend ku dikur festivalet e mëdha numëroheshin me gisht, sot kemi një shpërthim organizimesh që po krijojnë treg.

Nga argëtim në motor ekonomik

Organizatorët e eventeve pranojnë se është turizmi që përcakton ritmin e kalendarit muzikor. Sipas Daniel Ndonit, menaxher i Gowild, “turistët janë një faktor kyç për krijimin e një audience të larmishme dhe energjike.

Ata rrisin jo vetëm nivelin e përvojës, por sjellin edhe konsum direkt në ekonomi”.

Në Durrës, ku u mbajt Vala Fest në korrik, organizatorët raportuan rreth 20,000 spektatorë në vetëm dy ditë, një shifër rekord për qytetin bregdetar.

Lida Sinani, drejtuesja e Bea Marketing & Promotion, e lidh këtë sukses me ndikimin e menjëhershëm në turizëm: “Hoteleria, gastronomia dhe shërbimet e qytetit përjetuan një bum që rrallë ndodh në periudha kaq të shkurtra”.

Këto përvoja tregojnë se festivali nuk është më vetëm argëtim, por një zinxhir ekonomik ku përfitojnë aktorë të ndryshëm: nga hotelierët te shoferët e taksive, nga agjencitë turistike te tregtarët e vegjël.

Ky realitet përforcohet edhe nga përvoja e vizitorëve. Anna nga Gjermania, e cila ndoqi koncertin e Mahmut Orhan (DJ ndërkombëtar që së fundmi performoi në skenën e Tomorrowland dhe hapi sezonin e koncerteve verore në Shqipëri), tregon:

“Gjeta një biletë për vetëm 25 euro për koncertin, 40 euro fluturimi vajtje–ardhje, 30 euro Airbnb në Tiranë. Ishte shumë lirë dhe përveç koncertit pashë edhe qytetin.

Për mua ishte një ofertë e jashtëzakonshme”.

Ky raport çmim/vlerë është një avantazh konkurrues për Shqipërinë në rajon.

Një tjetër tregues i transformimit është rritja e çmimeve të biletave. Në një treg ku deri para pak vitesh dominonin koncertet falas ose me çmime simbolike, sot gjithnjë e më shumë evente kushtojnë mbi 50 euro.

Ky është një hap drejt pjekurisë së tregut kulturor shqiptar, duke e vendosur në linjë me rajonin.

“Biletat do të mbeten gjithmonë e ardhura kryesore e një eventi. Çmimet janë dinamike dhe lidhen drejtpërdrejt me kostot e larta të artistëve ndërkombëtarë, të cilët shpesh kanë dyfishuar tarifat”, – shpjegon Klodian Makashi, CEO i Vivere Group.

Megjithatë, përvoja e vizitorëve tregon se Shqipëria është ende një destinacion relativisht i lirë.

Bregdet vs. kryeqytet

Bregdeti shqiptar po bëhet epiqendra kryesore e turizmit muzikor. Kombinimi natyror i koncerteve me pushimet verore sjell turistë automatikisht. Tirana, megjithatë, ka ende sfida për t’u pozicionuar si destinacion kulturor.

“Përveç Keinemusik, është e vështirë të pretendojmë se eventet e tjera në kryeqytet tërheqin turistë. Për ta kthyer Tiranën në qendër ndërkombëtare kulture, nevojitet strategji shtetërore dhe mbështetje fiskale”, thekson Makashi.

Kjo tregon se ndërsa bregdeti po përfiton drejtpërdrejt nga bumi i turizmit, kryeqyteti ka nevojë për politika publike që ta shndërrojnë në qendër të eventeve urbane.

Në krahun tjetër, skena e jazz-it, si Hemingway Jazz Fest, që u zhvillua në Tiranë në 20-21 korrik, ruan filozofinë e komunitetit. Altin Sukaj, menaxher i Hemingway Fun Club, thekson: “Ne përballemi me kosto të larta, por përpiqemi ta mbajmë çmimin e biletës sa më të ulët për të ruajtur audiencën besnike”.

Ky model e sheh eventin jo vetëm si aktivitet ekonomik, por si investim kulturor afatgjatë, duke mbajtur gjallë traditën e muzikës së kultivuar në Shqipëri.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT