Shumica kundërshton propozimin e PD-së për një parlament me dy dhoma, pse Reforma Zgjedhore është në rrezik

Damian Gjiknuri, bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore akuzoi Partinë Demokratike se me propozimin fundit po tenton që të sabotojë tryezën për Reformën Zgjedhore. Ai tha për mediat se opozita me këtë veprim nuk njeh propozimet që vetë i ka bërë.
Basha propozoi sot ngritjen e një Senati për llogaridhënien e qeverisë duke kërkuar që 40 anëtarët e Senatit të zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit.
Gjiknuri pret PD-në të hënën të dorëzojë prezantimet zyrtare për administratën zgjedhore dhe sistemin zgjedhor.
“Fatkeqësisht, me deklarimet e sotme, Basha ka vendosur që të mos njohë as propozimet zyrtare të dorëzuara deri më tani nga partia e tij në këtë tryezë dhe as dakordësitë e arritura mes palëve. Rikujtoj se deri më tani, palët kanë arritur konsensus si për rolin e Policisë së Shtetit, Prokurorisë, hetimin nga SPAK të veprave penale të korrupsionit zgjedhor, sanksionimin dhe mbrojtjen e raportuesve të shkeljeve zgjedhore, financimin miks të fushatave zgjedhore, identifikimin elektronik të zgjedhësve në qendra votimi ose fillimin e zbatimit me projekte pilot të votimit elektronik etj.
Duke mos dashur të besoj se meraku i vetëm i Partisë Demokratike është sabotimi dhe dështimi i tryezës së reformës zgjedhore përpara datës 15 Mars, rikujtoj se mbledhja e radhës së tryezës politike është ditën e Hënë, ora 10:00. Mbetemi në pritje të propozimeve zyrtare të Partisë Demokratike mbi administratën zgjedhore dhe sistemin zgjedhor, për të cilin sikurse është rënë dakord, duke qenë se prek dhe Kushtetutën mund të kërkojë më shumë kohë edhe përtej 15 Marsit. Riktheksoj se mazhoranca ka vullnetin dhe detyrimin për ta përmbyllur sa më parë reformën zgjedhore duke adresuar plotësisht rekomandimet e OSBE/ODIHR.”, tha bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore.
Propozimi i Bashës për Reformën Zgjedhore ishte: “Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat”.
Kjo përplasje e fundit mund të sjellë edhe përçarje të mëtejshme, që do të bëjnë që Reforma Zgjedhore të shtyhet, e të mos plotësohet një kërkesë e BE-së.