Si mund të menaxhohen lëvizjet, në situatë karantine?!
Nga Gent ÇEKELI

Kam lexuar shumë kritika këto kohë për oraret dhe kufizimet të cilat ndryshojnë çdo ditë.
Lëvizjet me orar të kufizuar dhe me afate të përkohshme, ndjellin frikë në popullatë dhe ndihmojnë virusin në misionin e tij.
Bëjmë mirë që e kritikojmë Liderin, ama duhet të pyesim veten: “Ç’do bëja unë, nëse do isha në vendin e tij?”
Si popull kafe-dashës, i padisiplinuar dhe me dëshirë për t’u dystuar në grup ku të mundemi, është i vështirë menaxhimi me virusin vërdallë.
Mendoj se duhet të izolohemi, por nuk duhet të burgosemi. Ne na duhet të punojmë për bukën e gojës, kemi nevojë për ajër (sidomos në qytet), mund të na haet ose mund të na nevojitet një ilaç. Këto nevoja jetike nuk kemi pse i luftojmë me blindat e ushtrisë.
Si zgjidhet kjo?
a) Marketet, tregjet e fruta-perimeve, farmacitë dhe furrat e bukës duhet të jenë hapur minimumi 16 orë.
b) Të dalë nga shtëpia (karantina) vetëm një pjesëtar i familjes për të blerë gjërat e domosdoshme.
I gjithë problemi në përhapjen e virusit është kur takojmë dikë ose kur jemi në grup.
Ndaj policia dhe ushtria duhet të mos lejojnë dy apo më shumë qytetarë bashkë, qofshin edhe burrë e grua.
Në ditë normale, ne si popull nëse nuk kemi për të takuar dike, mbyllemi me dëshirë brenda.
Pra, nëse policia shikon një qytetar të vetëm në rrugë, nuk ka pse ta gjobisë sepse me shumë mundësi ka dalë për një nevojë. Nëse qytetari ka nevojë për t’u ngjitur me shokë e dashamirës, atëhere “game over”, le të kërcasë gjoba 100 mijë lekë.
Me paratë e gjobave ndërtojmë trenin supersonik Tiranë-Durrës!