Paralajmërohet nga diaspora dhe veteranët e UÇK-së protestë maive në Hagë

Një protestë tjetër, e cila vjen si vazhdimësi e asaj që u mbajt më 7 gusht – ku protestuan mijëra qytetarë – do të mbahet më 14 shtator, afër Gjykatës Speciale në Hagë.

Përfaqësuesi i Shoqatës së Veteranëve në Evropë, Fatmir Koci, deklaroi për Albanian Post se nisma ka ardhur si përgjigje ndaj kërkesave të shumta nga mërgimtarët shqiptarë anembanë botës – nga SHBA-ja, Australia dhe vendet evropiane.

“Protesta e 14 shtatorit e ka zanafillën nga data 7 gusht, kur u mbajt një protestë në Prishtinë. Pas kërkesave të mërgimtarëve, ne, si veteranë të luftës, kemi marrë porosinë e tyre dhe iu jemi drejtuar tri shoqatave të dala nga lufta në Kosovë. Kemi marrë përkrahjen dhe mbështetjen e tyre dhe, së bashku me ta, kemi marrë përsipër organizimin e kësaj proteste”, u shpreh Koci.

Protesta pritet të mbledhë mijëra qytetarë nga vendi dhe diaspora, ndërsa organizatorët theksojnë se ajo nuk ka karakter politik, por përfaqëson vullnetin dhe shqetësimin e gjithë popullit shqiptar.

“Numri i pjesëmarrësve pritet të jetë shumë i madh, pasi kërkesat janë të shumta. Deri më tani, janë organizuar udhëtime me autobusë, vetura private, dhe nga Kosova janë rezervuar një numër i madh autobusësh, biletash dhe qytetarësh që do të marrin pjesë”.

Ndër të tjera, ai sqaron edhe arsyen përse është vendosur data 14 shtator:

“Nga data 15, zyrtarë amerikanë do të dëshmojnë pranë Gjykatës së Hagës, ku do ta dëgjojnë të gjithë dëshminë dhe do të jenë në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Atje, në emër të drejtësisë, po gjykohen ish-krerët e UÇK-së, ndërkohë që po bëhen padrejtësi të mëdha edhe ndaj shtetësisë së Kosovës”.

“Kjo protestë nuk është aspak politike – ajo është protestë e të gjithë popullit shqiptar”, shtoi Koci.

Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Qëndrimi për pesë vjet në paraburgim shpesh është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut nga veteranët në Kosovë.

Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më prill të vitit 2023. Në mbi dy vjet, Zyra e Prokurorit të Specializuar thirri në gjykatore 125 dëshmitarë si dhe ka paraqitur rreth 3 mijë prova materiale.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ish-kryeparlamentarët kosovarë Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosjes (LVV), Rexhep Selimi akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë e trajtim mizor në periudhën midis viteve 1998–1999.

Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa të njëjtit ishin arrestuar nga Specialja në nëntorit e vitit 2020.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT