Ambasadorja gjermane: Shpresa e Shqipërisë? Rinia mendjehapur
| Carola Muller |
Lindita Çela
Carola Müller nuk është aspak, ajo gruja e thajme dhe e ftohtë që mund të mendojë dikush që nuk e ka takuar më parë. Aspak. Është krejt ndryshe. E qeshur, e hapur, mikpritëse aq sa për një mend mund të besosh se njihesh prej vitesh. Ndërsa trupi i saj i thajmë të lë të kuptosh se nën petkun e diplomatit është një grua sportive e plot energji. E pyetëm në këtë intervistë për Shekullin për disa zhvillime të javëve të fundit, përfshirë situatën politke por edhe disa momente të përfshirjes direkte në debatin publik si ai për librin e Hitlerit „Lufta Ime“, ose përplasjen për linjën e interkonjeksionit dhe bankës KFW.
Znj. Holtkemper, përse Ambasada Gjermane u përfshi në një debat publik, në Shqipëri, për një libër (Main Kampf) që është përkthyer edhe në vende të tjera por nuk është kërkuar gjetiu ndalimi i qarkullimit të tij nga një përfaqësi diplomatike?
Vetëm poseduesi i të drejtave të autorit lejohet, kjo vlen edhe për përkthimin, të botojë dhe të qarkullojë një libër. Pas Luftës së Dytë Botërore, e drejta e autorit për këtë libër, i kaloi shtetit të Bavarisë, në bazë të ligjit të pushtimit aleat. Ministria e Jashtme gjermane dhe Ambasada mbështesin shtetin e Bavarisë në mbrojtjen dhe ushtrimin e të drejtave të tij, për më tepër kur kjo nuk ndodh për herë të parë. Ribotimin dhe qarkullimin e librit, shteti i Bavarisë e ka ndaluar tashmë shpeshherë përmes vendimeve të gjykatave të huaja: në gusht 2007 nga gjykatat turke dhe më përpara nga ato çeke dhe polake.
Një tjetër çështje e debatueshme, është edhe linja e interkonjeksionit me Kosovën. 3 muaj me parë znj. Ambasadore deklaroi se tenderi është në zhvillim, nuk mund të jepte informacione për këtë çështje megjithëse shtoi se banka KFW ka punuar në mënyrë korrekte. Sot a mund të rrëfejmë cili ishte konflikti mes qeverisë shqiptare dhe bankës KFW?
Banka KFW është sjellur vazhdimisht korrekt dhe me transparencë. Për t’i dhënë zgjidhje këtij diversiteti opinionesh që janë krijuar, jemi në kontakt me të gjitha palët, me qëllim që operatori shqiptar dhe ai kosovar i rrjeteve OST dhe KOSTT si dhe qeveria shqiptare dhe kosovare, të gjejnë zgjidhjen në një proces përfshirës.
Në vendet si Shqipëria, fjala e ambasadorëve ka përherë rëndësi. E ndieni ju këtë?
Veprimtaria e një ambasadori ka ndryshuar shumë në dekadat e fundit. Sot pjesë e rëndësishme e punës sonë është
“Public Diplomacy“, e cila thënë shkurt, është informimi i drejtpërdrejtë i publikut të huaj për të arritur mirëkuptimin reciprok dhe në këtë mënyrë forcimin e marrëdhënieve. Kjo vlen në të gjithë botën njësoj si në Shqipëri, ashtu edhe p.sh. në SHBA.
Si e gjykon Shkëlqesia e saj, situatën poltike në Shqipëri, duke patur parasysh, se sapo është zgjedhur Presidenti, me 73 vota pa qenë i mundur konsensusi?
Zgjedhja e presidentit me 73 vota në raundin e katërt u bë në përputhje me kushtetutën. Shumë vetë mund të kishin dëshiruar sigurisht, zgjedhjen me shumicë të cilësuar që në tre raundet e para. Zotin Bujar Nishani e vlerësoj si një zgjedhje të mirë. Kam bashkëpunuar me të kur ka mbajtur detyrat e mëparshme dhe e kam njohur si një partner të besueshëm, transparent dhe rezultativ. Urojmë që ai me tërë energjitë t’i përkushtohet reformës në drejtësi, sepse një drejtësi funksionale është element i qënësishëm i shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe rritjes së besueshmërisë në institucionet shtetërore.
Shqipëria do të përfitonte në vjeshtë statusin e antarsimit në BE sipas jush?
Shqipëria ka bërë disa përparime në fushat e identifikuara së bashku. Jemi optimistë që në pikat ende të mbetura, do të ketë progres të mëtejshëm substancial. Ka ende kohë për këtë, por kjo kohë po ngushtohet. Për reformën zgjedhore “ guri i fundit i kilometrit“ ishte vendosur nga Komisioni i Stabilizim Asociimit në datën 12 korrik.
A mund të bëni një portretizim për dy liderët e politikës shqiptare Berisha e Rama?
Zhvilloj rregullisht biseda si me kreun e qeverisë, ashtu edhe me shefin e partisë më të madhe opozitare, me kryetarë të partive të tjera, me parlamentarë të koalicionit qeveritar dhe opozitës si dhe me njerëz zë tjerë të rëndësishëm. I vlerësoj të dy, edhe kryeministrin Sali Berisha, edhe kryetarin e PS Edi Rama si bashkëbisedues të mirë dhe kompetentë, me të cilët mund të bisedoj shumë hapur dhe miqësisht për një mori temash të rëndësishme dhe interesante.
Zakonisht në situata të tilla si është Shqipëria njerëzit ndërtojnë shpresë te të rinjtë e politikës. Në vëzhgimet dhe analizën tuaj, dalloni te të rinjtë e politikës shqiptare ndonjë shpresë se ata mund ti shkëputen tutelës së krerëve politikë?
Thesari i Shqipërisë është popullsia e saj në një shumicë të madhe e re, mendjehapur dhe që kërkon të ngrejë të ardhmen e saj. Në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian, bëhet fjalë mbi të gjitha për të ardhmen e këtyre të rinjve. Ata duhet të gjejnë vendin e tyre dhe të dëgjohen si në politikë, ashtu edhe në shoqërinë civile.
Gjermania është fuqia kryesore ekonomike në Europë. Aktualisht si është situata e investimeve gjermane në Shqipëri?
Në Shqipëri prej shumë vitesh ushtrojnë veprimtarinë e tyre një sërë firmash gjermane, të cilat janë bashkuar në Shoqatën Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri-DIHA. Një pyetësor i kohëve të fundit i DIHA-s me firmat gjermane që punojnë këtu, nxorri si rezultat që një shumicë dërmuese syresh do të dëshironin të investonin përsëri në Shqipëri. Një lëvdatë e madhe kjo për Shqipërinë. Në këndvështrimim e kompanive, Shqipëria është e favorshme për koston e punës, gatishmërinë për punë dhe produktivitetin e punëmarrësve shqiptarë – pra për njerëzit. Por nga ana tjetër, ka mangësi në aspektin institucional, dhe para së gjithash në aspektin e sigurisë ligjore, në luftën e pamjaftueshme kundër korrupsionit dhe kriminalitetit si dhe në mungesën e specialistëve.
Znj, Carola Müller -Holtkemper, në misionet tuaja diplomatike keni shërbyer, kryesisht në vendet e Lindjes. Ka vend për krahasim me Shqipërinë?
Është e vështirë të krahasosh vendet me njëri tjetrin. Për më tepër, kemi të bëjmë me situata krejt të ndryshme të historisë, kulturës, ekonomisë dhe drejtësisë së tyre. Si rrjedhim, secili vend duhet të vlerësohet vetëm në bazë të arritjeve të tij. Meqënëse këtë vit do të kremtohet ndër të tjera edhe 25 vjetori i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike,sigurisht që ka ende disa gjëra për t’u përmirësuar. Megjithatë nuk duhet harruar se ku ishte Shqipëria para 25 vitesh dhe çfarë rruge ka lënë ajo pas gjatë kësaj kohe.
Kam qenë në Shqipëri si turiste kur kam qenë studente në 1981“
Miqësitë e vjetra shqiptare janë çudia e parë që të shakton Carola Müller. Ajo ka qenë në Shqipëri që në periudhën e komunizmit, në vitin 1981. Tregon që ka qenë si turiste dhe asokohe ka qenë studente. Pse erdhi? Sepse Shqipëria për të ishte një çudi. Një tokë në mes të Europës, e mbyllur, e paprekshme dhe e izoluar nga gjithkush. I ka thënë vetes që doemos do e shkelte këtë tokë.
Ka ardhur për mes kufirit të Malit të Zi. Ka qëndruar në “Hotel Adriaktik“ në Durrës, ku “syri kapte me pash hapësirat e gjelbëra e përhumbej në detin e kaltër“. Ka vazhduar udhëtimin në Elbasan, Pogradec e Berat. Mban mend një vend të varfër e me rrugë të shkreta, madje edhe që i kanë penguar vijimin e udhëtimit për në Sarandë. Kjo ishte Shqipëria që turistia Carola Müller gjeti njëzet e ca vite të shkuara. Ndërsa kur u rikthye, studentja-turiste u kthye si Ambasadoria e një shtetit të fuqishëm
Ambasadorja Holtkemper pëlqen tenisin, udhëtimet dhe notin. Kështu e kalon kohën e lirë, me miqtë që duket se nuk i ka të paktë, madje edhe shqiptarë. Pyetjes: Si është jeta e një gjermaneje, diplomateje në Tiranë? – i përgjigjet: „Shqipëria është një detyrë tërheqëse dhe unë jap tërë energjitë e mia për të zgjeruar marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve tona dhe për ta shoqëruar rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian. Përveç punës interesante dhe preokupuese, më pëlqen mikpritja e madhe dhe dashamirësia që u del nga zemra njerëzve që takoj në Tiranë dhe gjatë udhëtimeve të mia në Shqipëri“.
Carola Müller-Holtkemper
lindur më 28.11.1955 në Bad Homburg v.d.Höhe
E martuar
Edukimi:
1974-1980
Eksperienca profesionale e viteve të fundit:
2003- 2004
Ambasada Bagdad
2004-2006
Zv. Ambasadore, Ambasada Rabat
2006-2007
Ambasada Khartum
2007-2010
Drejtoreshë e Referatit për Afrikën Lindore, Ministria Federale e Punëve të Jashtme
prej 2010
Ambasadore, Ambasada Tiranë
Disa lidhje të sugjeruara nga Ambasada e Gjermanisë në Tiranë:
Shoqata kulturore gjermano-shqiptare “Robert Schwartz”
www.dtalkuge-rs.com
Qëndra e gjermanishtes në Tiranë
www.goethe.de/ins/al/tir/sqindex.htm
Banka Gjermane për Zhvillim (KfW)
www.kfw-entwicklungsbank.de/EN_Home/LocalPresence/Europe64/Office_Albania/index.jsp
Shoqëria gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar (GIZ)
www.gtz.de/en/weltweit/europa-kaukasus-zentralasien/648.htm
CIM- Qëndra për migrim ndërkombëtar dhe zhvillim
www.cimonline.de/de/weltweit/335.asp
Shkëmbimi Akademik Gjerman – DAAD
www.daad-al.org
Fondacioni Gjerman për Bashkëpunim Ligjor Ndërkombëtar
www.irz-stiftung.de/stiftung-projekte/westlicher-balkan/albanien/albanien.html
Fondacioni Friedrich-Ebert në Tiranë
www.fes.org.al
Fondacioni Konrad-Adenauer në Tiranë
www.kas.de/albanien
Fondacioni Hans-Seidel Tiranë
www.hss.de/internationale-arbeit/regionen-projekte/europa/albanien.html
Burimi i materialit: Ambasada e Gjermanisë në Tiranë. Më shumë në shekulli.com.al
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.