Presidenti më i vjetër i SHBA, amerikanët të alarmuar për shëndetin e Donald Trump! Foto e dorës së mavijosur ngre dyshime

Përdoruesit e mediave sociale po kërkojnë gjithnjë dhe më shumë përgjigje në lidhje me shëndetin e presidentit, ndërsa bëhen publike më shumë foto të mavijosjes në dorën e djathtë të Donald Trump.
“Çfarë tmerri. Populli amerikan meriton përgjigje për atë që po ndodh me dorën e Trump”, shkroi të hënën llogaria X, Republikanët Kundër Trump. Postimi ka marrë që atëherë më shumë se 1.1 milion shikime.
Muajin e kaluar, ndërsa qarkullonin foto të dorës së presidentit që dukej e mavijosur, Shtëpia e Bardhë publikoi një memo ku shpjegohej se Trump ishte diagnostikuar me pamjaftueshmëri kronike venoze (CVI), të cilën mjeku i tij e përshkroi si “beninje dhe të zakonshme”.
Në janar, Donald Trump u bë personi më i vjetër i zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara. Ai mbushi 79 vjeç në qershor dhe është përballur prej kohësh me kritika për shëndetin e tij, ndërsa shqetësimet janë rritur pasi më shumë imazhe tregojnë mavijosje në duar dhe ënjtje në këmbë.
Në një sondazh të majit, 45 përqind e të anketuarve thanë se Trump nuk kishte qenë “aspak” ose “jo shumë” transparent në lidhje me shëndetin e tij. Në korrik, më shumë se 8,000 njerëz nënshkruan një peticion duke i bërë thirrje presidentit të publikojë të gjitha të dhënat e tij mjekësore.
Shtëpia e Bardhë menjëherë ndau një raport nga Sean Barbabella, mjeku i Trump, që thoshte se presidenti kishte CVI, por se nuk u identifikuan “shenja të dështimit të zemrës, dëmtimit të veshkave ose sëmundjes sistemike”.
Raporti shtoi se mavijosja në dorën e presidentit ishte “në përputhje me acarim të lehtë të indeve të buta nga dridhjet e shpeshta dhe përdorimi i aspirinës”, të cilën presidenti e merr si pjesë të një “regjimi standard parandalues kardiovaskular”.
)