Europarlamentarja: Vizat për kosovarët i ka në dorën Berlini

Deputetja gjermane e Parlamentit Europian, Viola von Cramon-Taubadel në një intervistë për “Koha” thotë se institucion legjislativ i BE-së do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën, në veçanti për liberalizimin e vizave. Von Cramon, që është deputete e Grupit të të Gjelbërve në PE, shprehet se barra, megjithatë, më së shumti bie tek Berlini.Europarlamentarja kujton se Gjermania nga 1 korriku i këtij viti merr përsipër Presidencën e radhës të Bashkimit Evropian, prandaj ajo shpreson se kancelarja Angela Merkel do ta shfrytëzojë këtë rast që ta heqë regjimin e vizave për kosovarët në zonën Shengen.

“Në Parlamentin Europian, veçanërisht ne në Grupin e të Gjelbërve, jemi të vetëdijshëm që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret teknike të kërkuara. Prandaj, i takon Këshillit – e këtu më së shumti Berlinit – që të heqë regjimin e vizave. Kjo pa dyshim është koha e duhur për ta hequr këtë regjim vizash në kohën kur Gjermania do të drejtojë Këshillin e BE-së nga 1 korriku 2020 e tutje. Shpresoj që zonja Angela Merkel më në fund ta shfrytëzojë këtë mundësi”, shrpehet Von Cramon.

Deputetja gjermane, e cila ishte edhe kryesuese e Misionit mbikëqyrës të Bashkimit Europian në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 të mbajtura në Kosovë, thotë se “gjithçka mbetet në duar të Këshillit, e jo të Qeverisë së Kosovës”. “Kosovarët bënë gjithçka që iu kërkua. Janë përmbushur të gjitha kërkesat dhe standardet, pra kosovarët i bënë detyrat e shtëpisë. Është vetëm Këshilli, qeveritë e shteteve anëtare të cilat nuk kanë dhënë dritën e gjelbër. Por ne duhet ta sqarojmë: është koha e tyre që tash të vendosin, e jo Qeveria e Kosovës”, theksoi europarlamentarja, duke shtuar se “çdo ditë që kalon pa një vendim për liberalizim, është sinjal i gabuar”.

Anëtarja e PE-së tutje thotë se është e padrejtë për kosovarët, që pavarësisht se i plotësuan kriteret e nevojshme, të vazhdojnë të mbahen peng i liberalizimit.

“Kosovarëve duhet t’iu hiqen vizat. Pikë! Kosovarët i plotësuan të gjitha kriteret e kërkuara, çka tjetër duhet të bëjnë? S’është aspak e drejtë t’i ndryshosh rregullat në mes të lojës! Dhe me të vërtetë ka një mirëkuptim në Parlamentin Evropian për këtë çështje: të gjithë pajtohemi se regjimet pa viza bazohen në kritere të caktuara teknike, dhe jo në vullnetin e Këshillit. Sapo vendi të jetë gati teknikisht, kjo s’varet më nga vendimi. Në këtë rast, Këshilli po e shtyn vendimin tash një vit e gjysmë”, shtoi ajo. Ndërsa mos liberalizimi i vizave lidhet me faktin se edhe shumë shtetas shqiptarë të Kosovës kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.

Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian kanë dhënë dritën e gjelbër për liberalizimin e vizave për Kosovën, Këshilli i Ministrave i BE-së ende nuk e ka bërë këtë, për shkak se disa nga vendet anëtare të BE-së konsiderojnë se Kosova nuk e ka përmbushur kriterin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT