Lamtumirë ARMO!
Rezart Taçi ka mbyllur marrëveshjen me një kompani azere për shitjen e tre kompanive të tij. “ARMO”, “Taçi
Oil” dhe “KUID” janë tre kompanitë për të cilat Rezart Taçi ka rënë dakord madje burime të mirinformuara bankare kanë bërë të ditur për DITA se biznesmeni shqiptar i ka mbyllur marrëveshjet me azerët dhe ka përcaktuar të gjitha detajet dhe modalitetet e shitjeve por finalizimi i tyre është bllokuar në banka dhe në QKR kryesisht për dy arsye. Burime bankare kanë bërë të ditur se që prej javës që shkoi Rezart Taçi ka njoftuar bankat se kishte arritur në një marrëveshje me partnerët në Azerbajxhan për shitjen e kompanive të veta.
Taçi nuk mund të kryente operacionin e shitjes pa njoftuar më parë bankat, pasi në disa banka ai është debitor në disa dhjetëra milionë euro si pasojë e disa kredive që ka marrë në vite, interesat e të cilave janë fryrë së tepërmi si pasojë e vonesës së kësteve. Ndaj dhe bankat kanë një rol kyç në operacionin e shitjes dhe finalizimit të shitjes që ka nisur javën e kaluar. Për të marrë kreditë në fjalë, Rezart Taçi ka lënë si kolateral, si garanci pronësore, disa nga trojet, depozitat dhe makineritë e kompanive “ARMO”, “Taçi Oil” dhe “KUID” , ndaj dhe shitja dhe kalimi i pronësisë së këtyre kompanive në duart e azerëve do të kalojë doemos nëpërmjet kontrollit të procedurës dhe të të gjithë operacionit nga bankat.
Debitorët
Përveç bankave, duket se biznesmeni Rezart Taçi dhe kompanitëe tij kanë pasur borxhe në disa miliona euro edhe në biznesmenë të tjerë dhe kompani të tjera private. Këta të fundit, janë njoftuar nga bankat për operacionin e shitjes që kishte vënë në lëvizje vetë Taçi së bashku me azerët dhe javën e kaluar kanë ndërmarrë hapa parandalues për kryerjen e operacionit të shitjes. “Këto kompani shqiptare duke qenë se i kanë dhënë hua disa miliona euro kompanive të Taçit, janë alarm uar nga operacioni i shitjes së kompanive që Taçi ka vënë në lëvizje dhe kanë dashur të garantohen se do të marrin mbrapsht lekët e tyre. Për këtë arsye ata kanë kërkuar javën e kaluar në gjykatë që të vendosej sekuestro konservative mbi kompaninë “ARMO” dhe për pasojë kanë bllokuar çdo veprim të kësaj kompanie në QKR dhe në tatime duke paralizuar çdo mundësi për operacione ligjore dhe financiare deri në heqjen e sekuestros konservative, pra e thënë ndryshe deri në momentin që këto kompani shqiptare nuk do sigurohen se kontrata e re do të garantojë shlyerjen e borxheve të Taçit ndaj tyre”, – tha dje një burim bankar i mirinformuar për çështjen.
Azerët
Historia e Rezart Taçit dhe privatizimit të kompanisë ARMO në vitin 2009, është ngushtësisht e lidhur me Bankën Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, Bankën “Credins” në Shqipëri dhe një sërë aktorësh të tjerë, të cilët janë kryesisht biznesmenë shqiptarë. Rezart Taçi pasi bëri privatizimin lekët i siguroi nëpërmjet bankës “Credins”, ndërsa kjo e fundit, gjeti rreth 75 milionë euro në Bankën Ndërkombëtare azere, për të paguar shtetin shqiptar në rolin e shitësit. Futja e bankës “Credins” në lojë i hapi jo pak telashe kësaj të fundit, pasi me kalimin e muajve ARMO nuk po prodhonte fitimet e përllogaritura në fillim ndërsa azerët kërkonin lekët dhe këstet e borxhit që u kishin dhënë. Interesat rriteshin çdo muaj dhe detyrimindaj azerëve shkoi deri në 125 milionë euro.
Kjo bëri që në vitin 2012 azerët të humbnin durimin dhe ndërsa Rezart Taçi ishte duke tentuar të bëhej dhe pronar i “Albpetrolit”, azerët kërkuan bllokimin e të gjitha bizneseve të tij në Tiranë, situatë që Taçi e zgjidhi shumë shpejt me ta, duke u kërkuar më shumë kohë. Taçi shpresonte se “Albpetroli” do ishte zgjidhja përfundimtare e të gjitha problemeve të tij me borxhet, por tenderi në fund u anulua krejtësisht dhe rezultoi një dështim fatal. Duket se pas këtij aksioni të dështuar me “Albpetrolin” , tashmë Rezart Taçi ka vendosur të shlyejë përfundimisht partnerët e tij azerë duke u dorëzuar dhe duke pranuar shitjen e tre kompanive të tij dhe sidomos kompanisë kryesore ARMO.
Azerët kërkuan sekuestron e ARMO-s një vit më parë
Gjykata e Tiranës vendosi në muajin Gusht 2012 sekuestro ndaj kompanive të biznesmenit Rezart Taçi, për shkak të një borxhi të pakthyer prej 75 milionë euro, marrë për blerjen e kompanisë ARMO nga Azerbajxhani. Kërkesa për vendosjen e sekuestros është bërë nga Banka Ndërkombëtare e Azerbajxhanit, (International Bank of Azerbajixhan, I.B.A), e cila ka provuar me fakte para gjykatës se për të realizuar investime në Shqipëri, në nëntor të vitit 2008 ka depozituar në një bankë private 75 milionë euro. Mësohet se shuma e përmendur më sipër është depozituar në tre këste. Kësti i parë është depozituar më datë 18 nëntor 2008, në shumën 30 milionë euro, kësti i dytë është depozituar më datë 19 nëntor 2008 në masën40 milionë euro dhe kësti i fundit më datë 21 nëntor i të njëjtit vit në shumën 5 milionë euro. Gjatë kohës në të cilën është kryern transferta bankare, “AMRA Oil” kishte fituar tenderin për shitjen e 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO sh.a. dhe ishte në proces të përmbylljes së kontratës dhe kryerjes së pagesës. Në këtë periudhë këto fonde ishin të domosdoshme për të realizuar blerjen e 85% të aksioneve të shoqërisë.
Në kushtet kur I.B.A. nuk arriti të kryente investime, aktivitet në Shqipëri, ose të kishte pjesë marrje në shoqëri të tjera, kërkoi nga Banka dhe shoqëria “Amra Oil” sh.a, rikthimin e shumës prej 75 milion Euro të depozituar. Kjo e fundit në datë 15.07.2010, i kthen bankës I.B.A. një shumë prej 1.5 milion euro, e cila është dhe shuma e vetme e kthyer deri tani palës kërkuese. Në këto kushte IBA ka kërkuar kthimin e menjëhershëm të të gjithë vlerës së detyrimit së bashku me interesat dhe fitimin e munguar në vlerën totale prej 115 milion euro.
Në mungesë të një përgjigje zyrtare nga debitorët, I.B.A. i është drejtuar Gjykatës së Tiranës me kërkesën për “Marrjen e Masës së sigurimit të padisë”. Por problemet nuk mbaruan me kaq për Taçin, një vendim i marrë në muajin Maj 2013 në Gjykatën e Tiranës vendosi sekuestrimin e aseteve të kompanive të tij për shkak të një kredie problematike të marrë prej Taçit në “Intesa San Paolo Bank” në vlerën e 4 milionë e 400 mijë eurove.
“Patton Boggs”-Taçi, një histori dështimi me privatizimet
Rezart Taçi është shfaqur shumë aktiv në dy privatizime strategjike vitet e fundit. Në privatizimin e ARMO-s dhe në atë të “Albpetrol”-it. Të dyja rezultojnë privatizime të dështuara dhe me shumë probleme, ndërsa në këtë histori përveç qeverisë shqiptare dhe Rezart Taçit, përfshihet dhe një kompani konsulence amerikane e quajtur “Patton Boggs”. Kjo është një kompani që shpesh është pajtuar nga qeveria shqiptare dhe për të tjera detyra, por roli i saj dhe përgjegjësia e saj në dy privatizimet strategjike merr një rëndësi të veçantë. Si në rastin e “ARMO”-s ashtu dhe në rastin e “Albpetrol”-it, kompania “Patton Boggs” ishte pajtuar për të verifikuar ofertat dhe për të garantuar shtetin shqiptar mbi saktësinë e tyre. Në veçanti në lidhje me ofertat financiare. Në të dyja privatizimet kompanitë e shpallura fituese (kompanitë e Rezart Taçit) shfaqën mungesë kapacitetesh për të paguar qoftë dhe garancinë prej 10 përqind të hyrjes në tender dhe më pas në rastin e ARMO-s, nëpërmjet një borxhi kreu pagesën, kurse në rastin e “Albpetrol”-it, i gjithë tenderi u hodh në erë pasi Rezart taçi u shpall fitues por shumë marramendëse prej 850 milionë eurosh që ai premtoi nuk dukej kurrkund .
ARMO
Le të sjellim ndërmend fillimisht privatizimin e kompanisë ARMO. Kur nisi hapja e ofertave të tenderit na u tha se fitues ishte një konsorcium amerikano-zviceran. Në fakt më vonë rezultoi se kompania teksane dhe ajo zvicerane pasi u shpallën fituese shitën shpejt e shpejt aksionet e tyre te biznesmeni shqiptar Rezart Taçi dhe ikën e panë hallin e tyre. Më tej ndodhi skandali tjetër me këtë privatizim, duheshin depozituar lekët , ose më saktë duheshin depozituar milionat e eurove nga fituesi. Ishin plot 75 milionë euro që duheshin derdhur në arkën e shtetit fill pasi parlamenti i shqipërisë ratifikoi kontratën për shitjen e kompanisë ARMO. Kjo pagesë u vonua 3 muaj, e në krye të tre muajve ndodhi ajo që pak kush mund ta kishte menduar. Rezart Taçi mori një kredi në bankën “Credins” në vlerën e 75 milionë eurove duke lënë si kolateral kompaninë e sapoprivatizuar “ARMO” ndërsa vetë banka doli garante tek Banka Shtetërore e Azerbajxhanit prej së cilës erdhën dhe lekët e shumëpritura në Shqipëri. Vetëm 1 vit më parë banka azere hodhi në gjyq Rezart Taçin dhe Credins dhe kërkonte kthimin e shumës por palët u lidhën në një marrëveshje provizore dhe Taçi u hodh në sulm për të privatizuar dhe “Albpetrol”-in. Po si është e mundur që në privatizimin e rafinerisë së vetme në vend lekët u gjetën duke dalë e duke i kërkuar në pazar? “Patton Boggs” ishte kompania e paguar nga qeveria dhe qytetarët shqiptarë për të dhënë të gjitha garancitë se ai ose ata që do të privatizonin ARMO-n jo vetëm që duhej t’i kishin lekët me vete, por edhe kapacitetet për ta zhvilluar atë ndërmarrje. Por jo, nuk ndodhi, “Patton Boggs” jo vetëm që nuk i dha këto garanci për ARMO-n, por kaloi edhe më tej cakun, në historinë spektakolare të privatizimit me “lekët kur ti kem” të Albpetrolit.
ALBPETROL
Sërish një privatizim strategjik, sërish “Patton Boggs” që konsulon, e sërish Taçi që fiton, e sërish lekët që nuk duken. Rasti i ARMO-s u përsërit dhe me ndërrmarjen më të madhe shqiptare “Albanian Petroleum”, ose e njohur si “Albpetroli”. Skenari ishte thuajse i njëjtë, oferta më e kuotuar sigurisht që do vinte nga një “kompani simotër amerikane” e pas shpalljes së fituesit kompania simotër do ikte të shikonte hallin andej nga kishte ardhur dhe në konferencë për shtyp do dilte Rezart Taçi që do rikonfirmonte edhe njëherë fitoren e vetë. Garancia e sigurimit të ofertës në tender prej 10 përqind , e as 20 përqindëshi i ofertës fituese nuk u paguan. Në fakt janë në total 280 milionë euro që duhen paguar(vetëm si fazë e garancive) nga totali prej 850 milionë euro që firma fituese “Vetro” e Rezart Taçit ofroi për “Albpetrol”-in. Asnjë qindarkë nuk rezulton e paguar, por në rastin e “Albpetrol” të paktën kemi një deklaratë të një eksperti të kompanisë konsulente “Patton Boggs”.
David Farber, disa muaj më parë në një intervistë për Zërin e Amerikës i pyetur nëse kompania fituese e Rezart Taçit i kishte lekët apo jo dha një përgjigje që i habiti të gjithë. Ai konkretisht tha: “Çështja këtu është se si kanë ndërmend ata ta financojnë këtë marrëveshje, pra nëse i kanë paratë në dorë, apo do t’i marrin hua. Kjo varet krejtësisht prej tyre (‘Vetro’-s). Si konsulent i ministrisë, nuk dua të shpreh hamendje se çfarë synimesh ka konsorciumi. Nuk e di, sepse është punë e tyre se si do të vendosin, se si do ta financojnë marrëveshjen. Pra, nëse do t’i marrin paratë borxh, do t’i gjejnë paratë në ndonjë mënyrë tjetër, apo do t’i marrin nga llogaria e tyre bankare. Kjo do të varet nga konsorciumi dhe nuk është çështje e ministrisë”, thotë konsulenti Faber.
Pra konsulenti i qeverisë që duhej të kishte dhënë garancitë për kapacitetet e likuidimit të shumës nga kompania fituese që në fazën e dorëzimit të dokumenteve në tender thotë “pas pilafit” se çështjen se si do gjenden lekët e financimit ja kanë lënë Rezart Taçit në dorë që ta vendosë. Por përveç papërgjegjshmërisë së treguar në realizimin e këtij tenderi, kompania “Patton Boggs” ka dhe një problem gati ligjor me çështjen e garancisë së ofertës. Rezart Taçi, solli si garanci të ofertës prej 85 milionë euro një çek të lëshuar nga një bankë amerikane.
Por kjo e fundit më pas është shprehur se nuk ishte përfshirë fare në këtë transaksion. Në këto kushte lind pyetja: “A e ka verifikuar Patton Boggs garancinë e dorëzuar në emrin e bankës amerikane? Kush mban përgjegjësi për këtë “problem” me këto dokumente dhe mospagimin e shumës së garancisë fillestare prej 85 milionë euro? Aktualisht çështja e kësaj garancie është objekt hetimi nga prokuroria shqiptare.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.