Situata/ Emigrantët dynden drejt Evropës, a mos duhet Shqipëria të marrë masa në kufi?

Në kufirin greko-turk vazhdojnë që të shtohen emigrantët, të cilët duan me çdo kusht që të futen në territorin grek, e më pas të drejtohen në shtetet perëndimore.

Janë me dhjetëra mira personat të cilët po përpiqen që të çajnë policinë dhe ushtrinë greke, që me forca të shtuara po përleshet në kufi për t’i mbajtur ata larg.

Nga ana tjetër me qindra janë emigrantët që çdo ditë tentojnë që me varka apo gomone të zbarkojnë në ishujt lindorë grekë të Egjeut.

Kjo ka sjellë reagim të ashpër të forcave greke, e po ashtu edhe të banorëve, të lodhur tashmë nga emigrantët.

Ndërsa në Greqi i tremben mijëra emigrantëve që synojnë të futen, specialistët kanë këshilluar që të merren masa edhe nga shtete të tjera. Bullgaria është një ndër këto, por edhe vendi ynë, në kufi me Greqinë duhet që të jetë vigjilent.

Në ditët e fundit është shtuar numri i emigrantëve që përdorin territorin tonë për të shkuar në shtetet e BE-së.

Nisur nga kjo situatë alarmante, a mos duhet shteti shqiptar , që të organizohet dhe të marra masa në kufi, për t’i ndalur ata.

Sigurisht që emigrantët duhet të ndihmohen, e shqiptarët janë një ndër popujt më migratorë, por me koronavirusin që rrezikon përhapjen, ndoshta autoritetet duhet të bëjnë kujdes që të mos lejojnë lëvizjen e pakontrolluar. Në ditët e fundit është shtuar numri i emigrantëve të paligjshëm në territorin  tonë.

Sot Policia e Pogradecit ka finalizuar operacion e koduar “Qafë Plloça”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, ku u ndaluan gjashtë persona. Në pranga ranë N. B., 40 vjeç dhe R. H., 41 vjeç, banues në Tiranë, të cilët u kapën pranë vendit të quajtur “Kryqëzimi i Libonikut” në Maliq, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin fugon tip “Volkswagen” dhe automjetin tip “Golf” 18 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.

Po gjatë operacionit u kapën dhe u arrestuan edhe P. M., 27 vjeç e E. P., 23 vjeç, banues në Durrës, M. C., 35 vjeç, banues në Pukë dhe M. Sh., 25 vjeçe, banuese në Linzë, Tiranë, të cilët po transportonin me dy mjete tip “Volkswagen Golf” dhe një mjet tip “Benz” në drejtim të Tiranës, 8 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm.

“Shërbimet e Policisë iu kanë bërë me shenjë drejtuesve të mjeteve të ndalojnë, por ata nuk i janë bindur urdhrit të tyre dhe kanë vijuar duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tyre dhe në hyrje të qytetit të Pogradecit janë ndaluar. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se shtetasja M. Sh. drejtonte njërin prej mjeteve tip “Volkswagen Golf” pa leje drejtimi.’, njoftoi policia.

Nga hetimet e kryera, rezulton se shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke iu premtuar atyre kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit prej 300-350 euro secilit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 mjete dhe 6 aparate celulare.

Ndërsa më 28 shkurt, policia shqiptare gjeti 20 afganë të cilët ishin lënë në mes të rrugës Vlorë-Fier.

Nga informacionet e para, ata deklaruan se synimi ishte që të shkonin në Shkodër, madje kishin paguar edhe nga 700 euro që të mund të çoheshin në destinacion.

Turqia njoftoi se nuk do t’i pengojë emigrantët sirianë që të kalojnë në Greqi, e numri i tyre mund të shkojë në miliona. Në të tillë situatë, një rrugë kalimi mund të jetë edhe Shqipëria.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT