Oficeri hero futet në mes të flakëve në Gramsh, merr në krahë të moshuarën dhe e largon nga zjarri

Gramshi po përballet me ditë të rënda, teksa zjarret kanë përpirë pyje dhe banesa, duke krijuar një atmosferë frike e ankthi mes tymit të dendur dhe flakëve të fuqishme. Në këtë situatë të rrezikshme, përveç forcave zjarrfikëse, në ndihmë kanë ardhur edhe qytetarë e efektivë policie.
Një nga ta është oficeri i krimeve, Alfred Zhupani, i cili është kthyer në simbol guximi për banorët. Sipas fotove dhe dëshmive të publikuara, Zhupani u hodh mes flakëve për të shpëtuar një grua të moshuar, duke e mbajtur në krah dhe vrapuar në një terren ku çdo sekondë mund të ishte fatale. Pa menduar për rrezikun apo lodhjen, ai arriti ta nxjerrë të moshuarën në një zonë të sigurt, mes duartrokitjeve dhe mirënjohjes së komunitetit.
Mëngjesin e së enjtes, zjarrfikësit arritën të neutralizonin flakët në fshatin Skënderbegas – një nga zonat më problematike – me ndihmën e ekipeve të ardhura nga Korça dhe Pusteci. Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, deklaroi se çdo minutë ishte vendimtare për mbylljen e këtij fronti dhe për të parandaluar riaktivizimin e zjarrit.
Ndërsa disa banorë po kthehen në shtëpitë e tyre, situata mbetet kritike në pyjet e Sojnikut dhe Snomsit, si dhe në malin e Komjanit, ku era dhe bimësia e thatë po e përhapin zjarrin me shpejtësi.
Gramshi ka qenë një nga zonat më të goditura nga flakët këto ditë, me shtatë fshatra të djegur dhe viktimën e parë të sezonit – një 80-vjeçar, i cili dyshohet se ka qenë edhe shkaktari i zjarrit fatal.