Gara për Tiranën dhe frika e PD-së, Teliti: Faktori opozitar duhet të bashkohet për një kandidat! Veliaj ktheu kryeqytetit në lavatriçe të pastrimit të parave

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, në një intervistë për “Syri Tv” komentoi shkarkimin e Erion Veliajt dhe garën e ardhshme për zgjedhjet e Tiranës.
Ajo çka bie në sy në deklaratën e Dorian Telitit, është frika që ka Partia Demokratike, nëse do të arrijë që të bashkojë faktorin opozitar për të dalë me një kandidat të përbashkët.
Teliti, teksa fliste për problematikat e kryeqytetit, u shpreh se ndryshimi është mëse i bëshëm në një periudhë të shkurtër nëse opozita merr drejtimin e Bashkisë Tiranë.
“Nëse kandidati ynë gjithëpërfshirës ka për të marrë drejtimin, jam i bindur se me një fushatë të bukur nëse faktori opozitar është i bashkuar, ju siguroj se ndryshimi në Tiranë është mëse i bëshëm.“-u shpreh Teliti.
Sa i përket propozimit të Këshillit Bashkiak për të shkarkuar Erion Veliajn, Dorian Teliti theksoi se mazhoranca ka thënë hapur se po e largojnë për mungesën e gjatë në detyre, por jo për dështimet e tij.
Sakaq, Dorian Teliti u shpreh se Tirana është kthyer në një lavatriçe të pastrimit të parave, dhe se kjo është bërë me dëshirën e Erion Veliajt, të cilin e quan një nga aktorët kryesorë në këtë iniciativë.
“Votat e Këshillit Bashkiak duke qenë minorancë nuk i kishim për largimin e tij. E kishim propozuar disa herë largimin e tij. U ndërmor një iniciativë e njëanshme nga mazhoranca për të bërë narrativën që thatë më herët, që Veliajn po e largojmë për një mungesë afatgjatë por jo për dështimet e tij.
Njëkohësisht është e kundërta. Në narrativën tonë, arsyeja e fundit për të cilën është larguar Erion Veliaj është mungesa e tij në zyrë. Veliaj është larguar dhe duhej larguar nga detyra për dëmet e paimagjinueshme që i ka shkaktuar Tiranës.
Veliaj është një nga aktorët kryesorë në kthimin e Tiranës në lavatriçe të pastrimit të parave me qëllim. Arritën ta bëjnë. Çmimet e ndërtimeve janë marramendëse. E paimagjinueshme.”-tha Teliti.