“KAYO është transparent”, Ardi Veliu hedh poshtë akuzat e opozitës për fshehje të kontratave: Nuk e kemi këtë qëllim, për vete mbajmë vetëm sekretet shtetërore

Administratori i kompanisë shtetërore KAYO, Ardi Veliu, ka marrë pjesë këtë të premte në një deklaratë për mediat, së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ermal Nufi.

Gjatë këtij komunikimi me gazetarët, një prej pyetjeve drejtuar Veliut lidhej me akuzat e ngritura nga opozita, e cila ka shprehur dyshime se kompania që ai administron mund të ketë fshehur kontrata me firma private, si brenda vendit ashtu edhe jashtë tij.

Në përgjigjen e tij, Veliu sqaroi se KAYO është një shoqëri aksionere me kapital 100% shtetëror, e krijuar me ligj të posaçëm, me qëllim rivitalizimin e industrisë ushtarake dhe mbështetjen e modernizimit të Forcave të Armatosura dhe agjencive ligjzbatuese.

Ai theksoi se bashkëpunimet e kompanisë, qoftë me partnerë vendas apo të huaj, janë të rregulluara në mënyrë transparente dhe të aksesueshme në përputhje me regjistrat zyrtarë, ndërsa çdo kontratë është e regjistruar dhe e verifikueshme. Sipas tij, nuk ekziston asnjë praktikë për fshehjen e kontratave, përveç rasteve të veçanta kur elementë të caktuar mund të klasifikohen për shkak të sekretit shtetëror.

“Dua t’ju informoj ju dhe të gjithë kolegët që janë në sallë, KAYO është shoqëri aksionere, me kapital 100% shtetëror dhe është krijuar me një ligj të veçantë në funksion të rivitalizimit të industrisë ushtarake, por edhe të kontributit për modernizimin e forcave të armatosura dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit, nëpërmjet saj ose bashkëpunimit me partneritetin publik, vendas ose të huaj.

Në çdo rrethanë që ne kemi bashkëpunuar, të gjitha kontratat janë transparente, publike, çdo njeri mund të navigojë në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të shohë kontratat, çdo gjë është transparente dhe ne nuk kemi qëllim të fshehim kontrata. Nëse ka të bëjë me elemente të veçanta, gjithçka është transparente dhe nuk ka asnjë arsye që ne të kemi qëllim në vetvete të fshehim kontrata. Nëse ka të bëjë me elemente të veçanta të një kontrate, të cilat janë pjesë e situatës apo rregullimit me akte të veçanta për të rregulluar sekretin shtetëror, sigurisht që ne nuk mund të futemi në detaje”, sqaroi Veliu.

Ndërkohë që në të njëjtën linjë qëndrimi u shpreh edhe ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, i cili theksoi se transparenca e kontratave është e domosdoshme, por në rastin e industrisë ushtarake, një pjesë e informacionit lidhet me sekrete shtetërore dhe tregtare, përfshirë patentat industriale.

“Është e kuptueshme dhe e domosdoshme transparenca e të gjitha kontratave dhe duhet të jetë e mirëkuptueshme se në këto kontrata, për sa kohë bëhet fjalë për prodhimin e pajisjeve ushtarake dhe mjeteve ushtarake, mjeteve teknologjike që mbartin në vetvete jo vetëm sekrete që lidhen me FA, por dhe sekrete tregtare, pasi bëhet fjalë për prodhim, për një patentë industriale, është e mirëkuptueshme që disa nga këto elemente nuk janë të hapura për publikun, por kjo nuk do të thotë që nuk janë të hapura për të gjithë ata që duan të vijnë të shohin përmbajtjen e tyre në përputhje me certifikatën e sigurisë apo trajtimin ligjor që mbahet në kërkim të një informacioni të tillë”, tha Nufi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT