Lavazh në Shpellën e Spilesë, Monument i Kategorisë së Parë?! Reagon Ministria: Nuk do tolerohet askush, do e rijetëzojmë

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka reaguar në lidhje me lajmet e publikuara në media, se Shpella e Spilesë në Himarë është kthyer në lavazh. Të paktën hyrja e saj, e cila është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë.
Institucioni thotë se falë marrëveshjes së bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, janë miratuar disa projekte ndërhyrjesh për rijetëzim, mes tyre edhe për Shpellën e Spilesë.
“Theksojmë se Shpella e Spilesë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj”, thotë reagimi.
Ministria e Kulturës informon se ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese dhe ndriçimin dekorativ.
Ndërkohë përsa i përket raportimeve për lavazh, parkim apo zaptim abuziv të zonës në hyrje të shpellës, asnjë biznes që e cënon statusin e saj të mbrojtjes nuk do të tolerohet. Ndërhyrjet parashikohet të nisin në periudhën shtator-tetor.
“Pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spilesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë. Përkundrazi, ajo do të rikualifikohet sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale.
Për ndërhyrjet në afërsi të shpellës, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe organeve ligjzbatuese do të ketë rikualifikime urbane e rikuperime që do të përmirësojnë kontekstin territorial duke evokuar vlerat turistike të zonës”, përmbyllet reagimi i MEKI.