Kryeministrja që nuk ka frikë nga Trump (prapaskenat e konfliktit që nisi nga një telefonatë)

Në një intervistë verën e kaluar për revistën katolike “Salve”, ajo rendiste “bazat e veprimit të guximshëm”: “të formosh një mendim dhe ta mbrosh. Të ndjekësh vlerat dhe personalitetin tënd.” Karin Keller-Sutter nuk ishte ende presidente (në detyrë) e Konfederatës Zvicerane; as nuk e kishte treguar plotësisht para botës “veprimin me guxim” që sot mund t’i kushtojë shumë, ose ta ngrejë në piedestal si udhëheqësen që i qëndroi përballë Donald Trump-it.

Cili do të jetë fundi për KKS-në, inicialet me të cilat e identifikon shtypi zviceran, që tani është kritik ndaj saj, do të varet nga negociatat me Uashingtonin në vjeshtë: a do të mundë Zvicra ta bindë Trump-in të heqë super-tarifën prej 39% për eksportet drejt SHBA-ve dhe ta ulë në një nivel më të moderuar prej 15%, siç e ka negociuar Europa? Dhe, a do të jetë ajo që do t’i udhëheqë këto negociata?

Telefonata vendimtare

Tarifa ka hyrë në fuqi më 7 gusht dhe iu vendos Bernës pas një telefonate të dështuar më 31 korrik mes KKS-së dhe Trump-it. Telefonata kishte për qëllim të finalizonte një marrëveshje për të cilën ishin shpenzuar qindra orë takime mes sekretarive të Thesarit të të dy vendeve. Por përfundoi keq, me Trump-in që shpërtheu duke thënë: “Nuk më dëgjoi.”

Gazetat zvicerane kanë raportuar versione të ndryshme mbi atë që ndodhi. Versioni i parë, i dhënë nga presidenca një javë më parë, tregonte se KKS nuk kishte bërë asgjë për të acaruar Trump-in, i cili u bë agresiv vetë, një skenar që nuk është aspak i pabesueshëm.

Por të dielën, tabloidi “Blick” citoi dy burime anonime nga Shtëpia e Bardhë që thoshin: “Trump është lodhur me të”, dhe “nuk është një problem mes dy shtetesh, por mes dy personaliteteve”, një frazë që thuhet se është thënë nga vetë Trump. Sipas tyre, “Clinton nuk do të rrinte më shumë se dhjetë minuta në telefon” me atë ton, dhe as Obama.

Presidentja zvicerane thuhet se e ndërpreu dhe e korrigjoi Trump-in për një pikë: për deficitin tregtar prej 40 miliardësh mes dy vendeve, që sipas saj është i pasaktë ose së paku jo i dëmshëm për SHBA-të, ndërsa Trump e quante “një vjedhje”.

“Një kurs intensiv ekonomie dhe politike ekonomike”, e cilëson burimi për “Blick”. Dhe për Trump-in, kjo ishte fundi: “e mbylli” me të. Për këtë arsye, tabloidet dhe partia Popullore (opozita ndaj liberalëve të KKS-së) kërkojnë që: presidentja të japë dorëheqjen dhe të dërgohet në negociata zëvendësi i saj, Guy Parmelin.

Negociatat

Që nga 7 gushti, kur hyri në fuqi tarifa, qeveria zvicerane po përgatit një propozim më të pranueshëm për Trump-in. Sipas disa informacioneve të publikuara dje nga “Reuters”, në draftin që pritet të jetë gati në shtator dhe të prezantohet në tetor, parashikohet rritje e marrëveshjeve dypalëshe në fushën e mbrojtjes dhe energjisë.

Përfshihen edhe tema deri tani të paprekshme, si importi i mishit (bujqit janë një bazë elektorale shumë e mbrojtur) dhe i makinave. Sipas gazetës “Neue Zürcher Zeitung”, për Zvicrën kjo do të kishte një kosto prej 400 miliardë frangash. Por gjithsesi, kjo është më e pranueshme se tarifa 39%.

Presidenca dhe ringu

Megjithatë, besimi te Karin Keller-Sutter si negociatore e kësaj marrëveshjeje është në rënie. Në nivelin më të ulët për një presidente që deri tani kishte qenë e mbështetur fort nga shtypi dhe elita politike. Kulmi i karrierës së saj ishte në vitin 2023, kur, vetëm dy muaj pasi ishte bërë ministre e Financave, menaxhoi shpëtimin e bankës “Credit Suisse” përmes një “martese interesi” me bankën rivale “UBS”, një lëvizje që u përshkrua nga “Financial Times” si “një fener për zviceranët”, dhe që e futi në listën e grave të vitit.

Plani “i mrekullueshëm” (sërish sipas FT-së) u realizua për 48 orë; sot, disa mendojnë se ndoshta ky sukses i dha asaj tepër vetëbesim për t’u përballur me Trump-in, duke nënvlerësuar egon e tij.

E lindur në kantonin St. Gallen (pjesa gjermanofone e Zvicrës), katolike, KKS ka qenë gjithmonë pjesë e liberalëve. Edhe për këtë arsye, shpëtimi i “Credit Suisse” me para publike ishte veçanërisht guximtar, sepse ishte kundër parimeve të partisë së saj, por edhe edukatës personale: është bijë kasapi i cili më pas u bë pronari i një lokali në fshatin Jonschwil, me një edukatë që predikon “mbajtjen e gjërave në rregull”.

Qetësia dhe përqendrimi i saj janë vlerësuar gjerësisht në botën e biznesit. Gjatë pandemisë ishte anëtare e Këshillit Federal: kombinoi mbështetjen për bizneset me disiplinë të rreptë, duke u bazuar edhe te përvoja e bashkëshortit të saj, Morten Keller, një mjek ligjor me funksione publike në Zyrih.

“Si qeni im”, sot ka një qen që quhet Picasso, “nuk pranoj t’më vënë maskë”, ishte slogani i saj kur kandidoi për herë të parë në 1992 si këshilltare bashkiake në qytetin e saj. E lindur në vitin 1963, ka diplomë si përkthyese dhe më pas në Pedagogji. Një profil i vitit 2018 nga televizioni publik zviceran e lidh këtë formim me “ndjenjën e shërbimit” dhe “modestinë” e saj.

Por pak e dinë, shton “Financial Times” në një portret të vitit 2023, se në kohën e lirë KKS stërvitet në ring: pasioni i saj është boksi.

Corriere della Sera

Back to top button
LAJMET E FUNDIT