VIDEO/ Suksesi i të rinjve nga Jugu në Veri! Nxënës që shkëlqejnë në olimpiada dhe konkurse në mbarë Shqipërinë

Në kuadër të një bashkëpunimi mes Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile (AMSHC) dhe Newsbomb, është realizuar një projekt i dedikuar identifikimit dhe promovimit të nxënësve të suksesshëm në shkollat e vendit, nga veriu në jug të Shqipërisë. Përmes kësaj nisme, janë sjellë në vëmendje histori frymëzuese të të rinjve që kanë spikatur në olimpiada, konkurse kombëtare e ndërkombëtare, si dhe në fusha të ndryshme të dijes dhe krijimtarisë.
Ky projekt ka synuar të nxjerrë në pah jo vetëm rezultatet e shkëlqyera akademike, por edhe përkushtimin, pasionin dhe rrugëtimin personal të nxënësve që po bëhen shembull për bashkëmoshatarët e tyre.
Ndër historitë e spikatura është ajo e Stelina Jaupit nga Pogradeci, e cila ka shkëlqyer në Olimpiadën e Letërsisë, si dhe suksesi i Nestila Berberit, e cila është vlerësuar në Olimpiadën Ndërkombëtare të Gjuhës Shqipe me një vend të tretë të rëndësishëm. Në Elbasan, Erind Çela është paraqitur si një nxënës shembullor me rezultate të larta dhe përkushtim të vazhdueshëm, ndërsa në Shkodër, Jehona Çaku ka arritur të fitojë medalje të artë.
Në këtë mozaik arritjesh, spikat edhe Uendi Isaku nga Burreli, e cila ka treguar vendosmëri në konkurse dhe olimpiada të ndryshme, si dhe Erti Dushku nga Bilishti, fitues i Olimpiadës Europiane “Hippo”, që në moshë të vogël ka treguar talent të jashtëzakonshëm në gjuhë të huaja.
Histori suksesi vijnë edhe nga Shkodra, ku Marikleda Lejthija është vlerësuar me medalje të artë, ndërsa Dea Borici ka përfaqësuar Shqipërinë në një olimpiadë ndërkombëtare në Itali. Po ashtu, Parid Kalaj është dalluar për pasionin e tij në fushën e multimedias, duke sjellë një profil ndryshe të talentit rinor.
Në këtë seri suksesesh përfshihen edhe Klejdi Tafani, i cili ka ndërtuar rrugëtimin e tij në peshëngritje përmes disiplinës dhe punës së vazhdueshme, si dhe Glenisa Canit, e cila ka arritur finale në disa konkurse akademike. Ndërkohë, Igea Krypa është vlerësuar për rezultatet në fushën e TIK-ut, duke dëshmuar se teknologjia po bëhet një hapësirë e fortë për talentet e reja.
Nga gjimnazi “Mahir Domi”, Soana Toci dhe Endi Islami përfaqësojnë një brez të angazhuar në olimpiada dhe konkurse të ndryshme, ndërsa Melisa Stafa sjell një histori të veçantë dashurie për librin dhe letërsinë që në fëmijëri. Po ashtu, Viona Kasa ka spikatur në Olimpiadën e Historisë, duke kaluar me sukses disa faza të rëndësishme.
Në këtë panoramë suksesi përfshihet edhe Ermi Tafili nga Shkodra, i vlerësuar me Medalje të Artë dhe çmime në fushën e Inteligjencës Artificiale, duke treguar potencial të lartë në fusha inovative.
Ky projekt i realizuar përgjatë periudhës kohore shtator-shkurt nga Newsbomb, në bashkëpunim me AMSHC ka sjellë në vëmendje dhjetëra histori të tjera të ngjashme, duke i dhënë zë të rinjve që përmes punës dhe pasionit po ndërtojnë të ardhmen e tyre.