E nisi Pjerin Ndreu, edhe Tavo ndjek strategjinë e Lezhës! Kryebashkiaku nxjerr në kamera qytetarët që hedhin qeset me mbeturina në rrugë

Kryebashkiaku socialist i Himarës, Vangjel Tavo ka publikuar pamjet e kamerave të sigurisë, për t’ju bërë thirrje qytetarëve se kushdo që hedh mbeturina në rrugë, do të gjobitet. Imazhet janë publike, si një formë sensibilizimi për banorët, se fytyrat e atyre që ndotin tashmë i sheh gjithë qyteti.
“Aty nuk ka një kosh për mbeturinat – është thjesht një trotuar! Madje aty ka edhe një tabelë ndaluese, por përsëri mbeturinat janë lënë pikërisht pranë saj. Kjo sjellje është e papranueshme, dëmton mjedisin, shëndetin publik dhe imazhin turistik të Himarës”, shkruan Tavo.
Bashkia Himarë ka nisur identifikimin e çdo individi dhe subjekti që hedh mbeturinat në vende të paautorizuara dhe inspektorët po vendosin gjoba ndaj tyre, duke paralajmëruar se për përsëritësit do të ketë masa administrative edhe më të rënda.
“Himara është shtëpia jonë e përbashkët dhe një destinacion turistik i rëndësishëm. Ju ftojmë të gjithë – qytetarë e pushues – të respektoni hapësirat publike dhe të përdorni vetëm koshat dhe kontejnerët e dedikuar”, shkruan Vangjel Tavo, teksa thekson se nuk do të ketë tolerime për ndotësit.
Kjo është një strategji që e ka nisur ditë më parë kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili njoftoi se bashkia që ai drejton kishte vendosur kamera pranë koshave të mbeturinave për të identifikuar bizneset dhe qytetarët që i hedhin ato jo në vendet e përcaktuara.
Siç duket, këtë nisë e ka përqafuar dhe Himara, e cila përballet gjatë verës me një fluks të lartë turistësh dhe pushuesish që zgjedhin bregun e saj si destinacion për pushimet.