Dy motrat humbën jetën në aksident, Elvis Naçi merr përsipër kurimin e vëllait 10 vjeçar me leuçemi

Imami dhe bamirësi Elvis Naçi ka dhënë një lajm të mirë për familjen Dhimaku, në këto momente të vështira, pas humbjes së dy vajzave në aksidentin tragjik të Delvinës. Vëllai i tyre i vetëm, do të ndihmohet nga Fondacioni “Firdeus” për kurim.
Elvisa dhe Rozina Dhimaku ishin nisur nga fshati Kopaçëz i Delvinës drejt Sarandës, sepse vëllai i tyre 10 vjeçar ndodhej i shtruar në spital, sepse është diagnostifikuar me leuçemi. Fatkeqësisht, rruga ju pre në mes.
“Shprehim ngushellime per humbjen e dy vajzave. Per vellain e vogel Fondacioni do te paguaji cdo gje per kurimin e tij. Kjo ngjarje me humbje kaq te madhe na preku te gjitheve pasi motrat po shkonin tek vellai i tyre per vizite.
Nga mediat u njohem se vellai i tyre vuan nga leucemia dhe Fondacioni do te paguaj kurimin e vellait te vogel. Ne kete dhimbje kaq te madhe do t’i gjendemi prane familjes se do te jemi ne ndihme te tyre per sherimin e djalit te vogel”, shkruan imami Elvis Naçi.
23 vjeçari që shkaktoi aksidentin tragjik kishte qenë në Sarandë prej pasdites dhe rreth orës 20:00 po kthehej në shtëpi, në fshatin Fushëbardhë, kur është futur kundravajtje dhe ka përplasur për vdekje dy motrat Elvisa dhe Rozina Dhimaku. E plagosur ka mbetur shoqja e tyre Antonela Zhupa.
Pas testimit nga policia, ai u gjet në gjendje të dehur, me një nivel alkooli prej 1.52 mg/l në matjen e parë dhe 1.42 mg/l në të dytën. Ndodhur në këto kushte, efektivët e Policisë së Sarandës i kanë hedhur menjëherë prangat.
Audi fuoristradë, në dukej model Q5, të cilin ai e drejtonte me shpejtësi skëterrë ka kryer një parakalim të gabuar në një zonë me vija të pandërprera dhe ka dalë përballë mjetit që drejtohej nga Elvisa Dhimaku.
Përplasja kokë më kokë ka qenë fatale dhe “Lancia” ku udhëtonin tre vajzat është shkatërruar e gjitha në pjesën e përparme. Edhe Audi është kthyer përmbys buzë rrugës, por shoferi Kevi Norra ka shpëtuar pa dëmtime.