Humbi jetën tragjikisht bashkë me të atin, Bora Keçi ekselente në mjekësi! Pedagogu publikon provimin: Ngushëllime mjekes Kozeta për humbjen e vajzës dhe burrit

Mjeku dhe pedagogu Admir Sinamati ka reaguar së fundmi në rrjetet sociale pas humbjes tragjike të studentes Bora Keçi dhe babait të saj, të cilët ndërruan jetë si pasojë e një aksidenti të rëndë automobilistik, që ndodhi pasditen e 25 prillit.

Përmes postimit të bërë në Facebook, Sinamati ka shprehur ngushëllimet e tij për familjen Keçi, të afërmit si dhe për komunitetin akademik dhe studentor të Fakultetit të Mjekësisë, ku Bora ishte studente.

Sakaq mësohet se dhe mamaja e së ndjerës është mjeke, pasi pedagogu i shpreh ngushëllime Kozeta Keçit për humbjen tragjike të burrit dhe vajzës së saj.

“Në këto çaste dhimbjeje të madhe, si mjek dhe pedagog i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Keçi, mamasë së Borës – Dr. Kozeta, të afërmve, Fakultetit të Mjekësisë, pedagogëve, dhe gjithë shoqërisë studentore të Borës. Humbja e saj dhe e të atit është një plagë e rëndë për familjen, për komunitetin mjekësor dhe për të gjithë ata që i njohën,” thekson ai në postim.

Ai e ka cilësuar këtë humbje si jashtëzakonisht të rëndë duke vënë në dukje se ndërprerja e jetës së një të reje plot ëndrra dhe përkushtim, së bashku me të atin e saj përbën një tragjedi të thellë për familjen dhe shoqërinë.

Gjithashtu Sinamati ndau në postim e tij provimin e  lëndës Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku Bora ishte vlerësuar shkëlqyeshëm në të.

Postimi i plotë:

Para dy ditësh me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të studentes së Fakultetit të Mjekësisë Bora Keçi, së bashku me të atin e saj, mjek, në një aksident automobilistik.

Është e vështirë të gjenden fjalët e duhura përballë një humbjeje kaq të rëndë, ku jeta e një studenteje të re, plot ëndrra, përkushtim dhe shpresë për të ardhmen, ndërpritet në mënyrë kaq tragjike, bashkë me jetën e prindit të saj, njeriut dhe mjekut që i kishte shërbyer jetës dhe shëndetit të njerëzve.

Bora do të mbetet në kujtesën time edhe përmes këtij momenti të veçantë akademik: provimit në lëndën Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku u vlerësua shkëlqyeshëm. Kjo foto është më shumë se një kujtim provimi; është dëshmi e seriozitetit, edukatës, përkushtimit dhe formimit të saj si studente e denjë e Fakultetit të Mjekësisë.

Në këto çaste dhimbjeje të madhe, si mjek dhe pedagog i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Keçi, mamasë së Borës – Dr. Kozeta, të afërmve, Fakultetit të Mjekësisë, pedagogëve, dhe gjithë shoqërisë studentore të Borës. Humbja e saj dhe e të atit është një plagë e rëndë për familjen, për komunitetin mjekësor dhe për të gjithë ata që i njohën.

U prehshin në paqe shpirtrat e tyre!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT