“Nuk do ia dilnim Serbisë në luftë e as në paqe pa Shqipërinë”

Në konferencën e përbashkët për mediat, kryeministrat Edi Rama dhe Albin Kurti i janë përgjigjur interesit të medias lidhur me “Minishengenin Ballkanik”.
I pyetur për Shengenin Ballkanik, e nëse në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë, Kurti dha këtë përgjigje:
“Ky ishte takimi ynë i parë ka edhe shumë tema që do t’i trajtojmë në të ardhmen e mund të them që e trajtuam shkurtimisht, meqenëse takimi ynë ishte më parë për makroshengenin shqiptar sesa për minishengenin ballkanik”.
Ai falenderoi shqiptarët për mikpritjen e ngrohtë. Kurti theksoi se: “Nuk do ia dilte me sukses karshi Serbisë në luftë, po ashtu as në paqe pa Shqipërinë”.
“Edhe një orë bëhet një javë që jam në këtë detyrë të re. Vendi i parë që vizitova ishte Prekazi, qyteti i parë ishte Mitrovica, shteti i parë duhej të ishte Shqipëria. Ju falenderoj për mikpritjen e përzemërt dhe për bisedën shumë konstruktive. Unë dua të kemi një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri çfarë nuk ka pasur asnjëherë mes dy vendeve tona.
Kosova dhe Shqipëria janë prioritet i njëra-tjetrit, dhe nuk janë çështje që presin në asnjë fushë. U dakorduam që të formojmë një komision ndërshtetërore, i përbërë nga ministra e deputetë, që ato 77 marrëveshje që janë nënshkruar deri më tani, të zbatohen dhe të shtohen në marrëveshje të reja. Duam ta shtojmë bashkëpunimin duke e zgjeruar’, deklaroi Kurti.