Gledis Nano: Shqipëria në fokus të rrezikut për shkak të komunitetit MEK, Irani po rekruton spiunë

Ish-drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në një intervistë për emisionin Top Story komentoi paralajmërimin e fundit të ambasadës amerikane mbi rrezikun e mundshëm të sulmeve. Ai theksoi se forca institucionale nuk matet me fjalë, por me nivelin e gatishmërisë dhe efektivitetit të saj, duke shtuar se institucionet shqiptare nuk e kanë nisur punën sot, por janë të angazhuara prej kohësh në mënyrë të vazhdueshme, 24/7.

Forca institucionale reaguese nuk matet me fjalë, por matet me nivelin e saj të gatishmërisë dhe se sa efektive është. Nuk po flasim nëse ka rrezik apo jo, por se sa të përgatitura janë institucionet. Ato nuk e kanë nisur punën sot, por kanë kohë që përgatiten dhe punojnë 24/7 për këtë punë, tha Nano.

Gledis Nano u ndal edhe tek komuniteti MEK, i cili sipas tij e bën vendin tonë një target, ndërsa leadership-i i kësaj lëvizjeje ndodhet në Paris. Ai kujtoi se Shqipëria ka marrë sinjale konkrete, si mbyllja e ambasadës kulturore iraniane, duke e vendosur veten në një risk më të shtuar.

“Komuniteti i MEK e bën vendin tonë një target. Leadership-i i kësaj lëvizjeje ndodhet në Paris, nuk ndodhet fare në vendin tonë. Ne kemi pasur sinjale konkrete, si mbyllja e ambasadës këtu, dhe e kemi vendosur veten në një risk pak më të shtuar. Irani po përpiqet në çdo lloj forme dhe mënyre për të dëmtuar çdo interes të vendeve që kanë marrëdhënie me SHBA-në,” tha Nano.

Një tjetër pikë e rëndësishme që ai ngriti ishte mënyra e rekrutimit nga shërbimet iraniane. Sipas tij, individët targetohen për operacione spiunazhi duke u dhënë fillimisht detyra të lehta, të paguara në kriptomonedha përmes platformave si Telegram. Më pas, këtyre personave u ngarkohen detyra më të rëndësishme, si sigurimi i informacionit sensitiv. Nano sqaroi se këta individë nuk janë shqiptarë, por të huaj të përdorur për qëllime spiunazhi.

Ai tha se Irani po synon kryesisht individë për t’i rekrutuar në operacione spiunazhi. Fillimisht u japin detyra të lehta dhe i paguajnë në kriptomonedha, shpesh përmes aplikacionit Telegram. Më pas, kur besimi rritet, u ngarkojnë detyra më të ndjeshme, si marrja e informacionit konfidencial. Kjo paraqitet si një punë me kohë të pjesshme. Personat e përfshirë nuk janë shqiptarë,” tha Gledis Nano.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT