Bashkia mbyll 11 kilometra plazh, shfaqet “dragoi blu”, helmi i tij mund të shkaktojë edhe vdekjen

Spanja ka dhënë alarmin ditët e fundit pas shfaqjes së një krijese të rrallë dhe të rrezikshme detare, e njohur si “dragoi blu”, në bregdetin e Costa Blancës. Autoritetet komunale të Guardamar del Segura, vendosën të ndalojnë përkohësisht notin në një sipërfaqe prej 11 kilometrash, duke ngritur flamuj të zinj në plazhe.

Siç raporton Daily Mail, pas zbulimit të dy dragonjve blu në plazhin Vivers, kryebashkiaku Jose Luis Saez njoftoi ndalimin e notit, duke u bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë larg krijesave, edhe nëse madhësia e tyre nuk i kalon 3.8 centimetra.

“Pavarësisht madhësisë së tyre të vogël dhe ngjyrës së habitshme, ato janë të rrezikshme dhe nuk duhen prekur as me doreza”, theksoi ai, duke paralajmëruar pushuesit çfarë të bëjnë dhe si të reagojnë nëse ndodh të pickohen prej “dragoit blu”.

“Nëse shihni një nga këto krijesa, njoftoni rojet e plazhit dhe autoritetet. Nëse ju pickojnë, lani zonën e prekur me ujë deti dhe shkoni në pikën më të afërt të ndihmës së shpejtë ose në qendrën shëndetësore”, vijoi kryebashkiaku i Guardamar del Segura.

Dragoi blu i detit ose “Glaucus atlanticus” (kërmilli i detit) është një nga kafshët më të rralla detare që jeton në ujërat tropikale të planetit, zakonisht në bregdetin juglindor të Afrikës së Jugut dhe bregdetin lindor të Australisë, bregdetin e Mozambikut dhe bregdetin evropian. Madhësia e tij nuk i kalon 3 centimetra, ndërsa karakterizohet nga ngjyra e tyre blu e mrekullueshme.

Gjembat e tij janë helmues sepse helmin të cilin e merr nga kafshë të tjera helmuese, siç është kandili i detit, mund të shkaktojë edhe vdekjen. Jo rastësisht quhet “vrasësi më i bukur në oqean”.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT