Ylli Rakipi komenton masat e Qeverisë: Të dënosh me 15 vite burg një qytetar që del pa leje, është të instalosh diktaturën në vend

Gazetari Ylli Rakipi thotë se nga kriza të tilla të cilat po i kalon gjithë bota dhe Shqipëria, krijohen hapësira dhe lindin diktatura të mëdha.
Duke komentuar masat e qeverisë për dënimin me 5 deri në 15 vite burg të atyre personave që dalin pa leje nga shtëpia, Rakipi tha në emisionin “Në fokus” se Rama po instalon diktaturën në vend.
“Jemi në një krizë dhe në kohë të tilla, kriza të mëdha, bëjnë vend dhe krijojnë hapësira, për të lindur dhe për t’u forcuar diktaturat e mëdha. Të mendosh që të dënosh me 5 deri në 15 vjet burg, një qytetar që del pa leje nga banesa, do të thotë as më shumë dhe as më pak, të instalosh diktaturën, regjimin. Rama në këto momente po përfiton për ta rritur regjimin.
Shqipëria, duke filluar nga shtatori, shkon drejt një viti elektoral, shkon drejt zgjedhjeve të reja. Një ligj i tillë, duke patur parasysh dhe atë që thotë OBSH dhe ekspertët, se ky virus do të zgjasë, në një vend si Shqipëria, përfytyro ç’mund të bësh me këtë ligj, çfarë presioni mund të ushtrosh mbi njerëzit, sa mund ta rrisësh frikën tek ky popull.
Të kalosh tek masa të tilla, në burgosjen e qytetarëve, është represion i drejtëpërdrejt dhe përpjekje për ta zotëruar plotësisht skenën shqiptare”, u shpreh gazetari Ylli Rakipi.