60 infermierë nisen drejt Italisë/ Do të ndihmojnë vendin fqinj në përballjen me pandeminë (VIDEO)

Një tjetër nismë humanitare e Shqipërisë pas ndihmës që i dha Italisë fqinje me 30 mjekë dhe infermierë për të luftuar COVID-19. Report Tv mëson ekskluzivisht se një grup tjetër infermierësh, prej 60 personash, është nisur drejt Italisë për të kontribuar për situatën ndaj pandemisë.

Manjola Rama, është një nga infermieret që pritet të nisë misionin në Itali. Lajmin që do të nisen drejt shtetit fqinj e kanë mësuar para dy javësh. Për mikrofonin e Report Tv, Manjola rrëfen se me vendimin e saj i ka mërzitur familjarët, veçanërisht tre fëmijët e vegjël që ka në shtëpi, por e ka parë si një mundësi shumë të mirë për të dhënë kontributin e saj në këtë betejë me të cilën po përballet e gjithë bota.

60 infermierët që janë nisur drejt Italisë, jo të gjithë kanë qenë të punësuar aktiv. Disa prej tyre, rasti konkret i Manjolës, para dy muajsh ka qenë zëvendës infermiere në QSUT, e ndërsa kanë zgjedhur që të mos qëndrojnë thjesht duke pritur thirrjen e Ministrinë e Shëndetësisë, por të ndihmojnë edhe në këtë periudhë. Ato priten që të trajtohen për disa ditë në Itali, ku dhe më pas do të nisin punën në spitalet COVID-19.

“Ne sot jemi mbledhur për një si ndihmë për shtetit italian. Jemi rreth 60 infermier, jo të gjithë të punësuar. Unë kam qenë zëvendësuese në QSUT, deri sa të presim radhën vendosëm që të ndihmojmë Italinë. Na njoftuar dy javë më parë. E dimë që do kemi viruse dhe në do të japim maksimumin si staf që jemi, dhe besoj që do dalim faqebardhë. Unë jam nënë me tre fëmijë,  janë mërzitur. Nuk kemi bërë trajnim, por unë që kam punuar, e di si është puna, trajnimi, na kanë thënë që do trajnohemi atje dhe pastaj do fillojmë punë. Janë nga gjithë Shqipëria. Ne do të shkojmë në Romë, por spitalin e vendosin ato.  Mesazhi është për të gjithë që të mbajnë distancë, rregullat e higjienës dhe do të dalim faqebardhë”, tha infermierja në një intevistë për gazetaren e Report Tv, Klesiana Omeri.

Kjo ndihmë vjen në një kohë kur Shqipëria ka një kurbë të qëndrueshme të të infektuarve, teksa lajmi i mirë, ndryshe nga sa paraqitet panorama në shumë shtete të tjera të Europës, spitalet nuk janë të tejmbushura. Në komunikimin ditor që ka pasur ministria e Shëndetësisë ditën e sotme, u bë e ditur se dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 44 pacientë. Dërgimi i 30 mjekëve dhe infermierëve në Itali është vlerësuar maksimalisht nga jo vetëm nga Italia, si një gjest madhor i një vendi të vogël, por me zemër të madhe.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT