Hashim Thaçi fol për taksën, mos u bëj qesharak si Kadriu!

Vendosja e taksës 100% ndaj mallrave serbe ishte një vendim i fortë, për të treguar sesi Kosova  mund t’i imponohet Serbisë në rrugën për reciprocitet.

Por ky vendim i qeverisë së djeshme të Kosovës e kryesuar nga Haradinaj, në fillim nuk gjeti mbështetje të plotë nga lidershipi politik. Disa e mbështetën ndër dhëmbë, të tjerë heshtën, e disa të tjerë e kundërshtuan jo vetëm me artikulimet publike në Kosovë, por madje edhe në takime me ndërkombëtarët.

Hashim Thaçi, ish kreu i PDK-së, tashmë President i Kosovës ishtë kundër kësaj takse, duke folur haptazi se kjo dëmton dialogun Kosovë-Serbi. Thaçi loboi fort edhe në spektrin ndërkombëtarë dhe u përplas me Haradianj për heqjen e taksës për mallrat serbe. Ndërsa sot, kur kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar heqjen e kësaj takse, Hashimi hesht.

Hesht dhe nuk flet, madje brenda vehtes së tij ai ka ndryshuar. Taksën tashmë e do më shumë se kurrë.

Hashimi hesht, kurse Kadriu ndryshon fytyrën!

Në fillim kur u vendos kjo taksë ai si një politikan tipik shqiptar u mundua që të fitonte kredo nga ky veprim, dhe u rrek të na shpjegonte se e mbështeste vendosjen e taksës.

Por në fakt nuk ishte krejt kështu, ose më saktë ishte krejt ndryshe. Kur takonte të dërguarit me punë të qeverisë amerikane në Kosovë, Thaçi në fjalorin e tij të “moderuar” linte të kuptonim se vendosja e taksës ndaj mallrave serbe ishte veprim i pamatur, dhe se kjo gjë prishte marrëdhëniet me partnerët.

Këtë e bënte për të fituar pikë te amerikanët, ndërsa para popullit kujdesej të krijonte përshtypjen se e mbështeste taksën. Por në fakt veprimet e Thaçit n’a tregonin krejt gjë tjetër.

Gjatë Samitit të Berlinit ai fliste anglisht me Kancelaren Merkel në sy të Haradinajt, ku pa i bërë përshtypje, i kërkonte këtij të fundit heqjen e taksës. Vetëm e vetëm për të dalë mirë në sy të Kancelares.

Sot Hashimi po hesht për taksën, por ai ka lëshuar pasardhësin e tij, Kadriun i cili sulmon Albin Kurtin për heqjen e taksës për mallrat serbe. Ishte vet Kadri Veseli, që opinionin publik të Kosovës e ushqente me faktin se taksa për mallrat serbe duhej hequr, sepse dëmtonte marrëdhëniet tregtare dhe politike mes dy shteteve.

Ja çfarë shkruante Kadri Veseli para një viti:

“Në takimin e javës së kaluar kam dhënë një propozim konkret, të cilit i qëndroj deri në fund. Taksa doganore duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”

Dhe ja qëndrimi i sotëm i Kadriut:

Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën.

Por kë duhet të besojnë qytetarët e Kosovës, Kadriun me dy fytyra apo Hashim Thaçin i cili hesht përballë kësaj situate?! Është e thjeshtë, asnjëri prej tyre nuk duhet besuar, sepse Kadriu dhe Hashimi po sillen si politikanë qesharakë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT