Eksportet në rënie të lirë, kanë marrë ekonominë me vete

Sabina Veizaj- Aktorët e tregtisë së jashtme e kishin paralajmëruar dy vite më parë atë që po ndodh sot me eksportet, të cilat po tërheqin zvarrë të gjithë ekonominë me vete.
Pas katër vitesh me rritje, gjatë 2019-ës eksportet kanë performuar negativisht. Sipas INSTAT eksportet arritën vlerën 299 mld lekë gjatë vitit që lamë pas duke u ulur me 3,8 %, krahasuar me një vit më parë.


Disa syresh të sektorit thonë se gropa e eksporteve nisi të hapej me rënien e euros, e cila edhe sot nuk është deklaruar se nga vjen sepse “nuk e justifikojnë faktorët e tregut”, saqë, thonë ata “edhe sikur ekonomia botërore dhe europiane të lulëzojë, edhe një grimcë shkëlqimi e saj nuk dihet nëse dhe kur mbërrin tek ne”.
Për 2019-ën ai zë që ka fundosur eksportet është “Tekstile dhe këpucë” duke shënuar rënie vjetore të tyre me 4,6% në 2019-ën.

Florian Zekja nga Unioni i Fasonistëve shpjegon për gazetën “Si” se tre janë faktorët që po bëjnë që eksportet sa vjen e bien përherë e më shumë; rënia e euros, situata politike dhe ajo gjeopolitike.

“Ne gjatë kësaj periudhe të gjatë të pakthyeshme të rënies së euros kemi ulur fitimin për kontratat aktuale. Thënë këtë nuk arrijmë dot të rrisim as pagat, as të investojmë në teknologji, rrjedhimisht nuk jemi konkurrues në tregjet ku kemi kërkesa. Situata politike konfliktuale prej 4 vitesh ka bërë që të gjithë energjitë janë drejtuar kah reformës në drejtësi, reformës zgjedhore, kah protestave dhe aspak nga ekonomia, ne nuk po arrijmë të ulemi dot në tryeza për të shpëtuar bizneset tona. Po ashtu edhe situata gjeopolitike ku sanksionet amerikane që kanë prekur BE-në, ka bërë që ato vende të mos rinovojnë kontratat”- sqaron Zekja.
Ai tregon se një mekanizëm për të shpëtuar vetë bizneset, është eksperimentimi me punonjës të huaj nga Bangladeshi dhe Pakistani. Pasi një biznes fason të llogarisë kostot dhe leverdisshmërinë për marrjen e grupit të parë të krahut të punës nga këto vende, kërkesat e bizneseve të tjera janë gati për të marrë edhe ata punonjës nga këto vende. E para shpjegon ai, sepse punonjësit po ikin në emigrim dhe e dyta edhe atyre që janë nuk mund t’iu rrisim pagat.
Të njëjtin shqetësim shpreh edhe Alban Zusi nga Qendra Shqiptare e Eksporteve për rënien e fuqisë punëtore si pasojë e tkurrjes së ekonomisë.

“Më duheshin konstruksione metalike. Kur shkova tek kompania për ti blerë më tha që montoji vetë se nuk kam punonjës, kanë ikur, nuk ia dal dot. Në këtë situatë ata nuk realizojnë xhiron, unë kam vonesa”- thotë Zusi për gazetën “Si”.
Në një përshkrim që i bën tablosë së sektorit të eksporteve, Zusi sqaron se “që kur nisi të binte euro në mënyrë të qëndrueshme dy vite më parë, ne e paralajmëruam këtë kronikë që po nxin ekonominë në tërësi. Rënia e eksporteve ka sjellë rënien e investimeve e si rrjedhojë treguesit e tjerë që kanë shpënë në tkurrjen e ekonomisë. Politikat fiskale nuk po shkojnë në drejtimin e duhur, por po godasin shtresën e mesme. Taksimi në mënyrë kumulative i personave që kryejnë më shumë se një punë, do të thotë goditje e profesionistëve. Çfarë të bëj unë me një menaxher të zotë në këtë rast; nëse i ul pagën, demotivohet dhe ikën, më duhet të marrë një person më pak të kualifikuar që do të ndikojë në cilësinë e biznesit duke e bërë atë jokonkurues. Ose, nëse i rris pagën, barra fiskale e shtuar bie mbi mua dhe unë nuk investoj dot”
Shtoji këtyre, shpjegon Zusi, çmimin më të lartë në rajon për energjinë elektrike dhe karburantin dhe rritjen e pagës minimale pa asnjë incentivë për biznesin.
Situata në të cilën gjendet biznesi, konsumatori dhe ekonomia në tërësi për Zusin është një udhëkryq ose edhe një rreth vicioz negativ ku në asnjë anë nuk shikohet një dritë jeshile.
Për sa kohë politikat e zhvillimit të ekonomisë nuk drejtohen për të nxitur rritjen e zhvillimit të biznesit dhe shtresën e mesme që duhet të jetë konsumatori më i madh, mendon Zusi, ekonomia do të vazhdojë të lëvizë rreth rrethit vicioz ku gjendet aktualisht.

Arben Shkodra nga Bashkimi i Prodhuesve Shqiptarë është më optimist për situatën.
Sipas tij, arsyeja pse eksportet bien është mungesa e konsolidimit të produkteve për eksport.
“Produkti kryesor që ne eksportojmë më shumë është energjia elektrike. Një produkt me risk dhe i paqëndrueshëm. Ne duhet të fokusohemi tek produktet pa risk dhe të qëndrueshme. Ato janë fruta-perimet për vetë potencialet natyrore që ne kemi”- thotë Shkodra.
Në fakt, të dhënat e INSTAT tregojnë se për 2019-ën, zëri i ushqimeve rezultonte me rritje prej 1,3 %.
Sipas Shkodrës, edhe pse nuk kujdeset njeri, ky zë rezulton me rritje, “po sikur të kujdeseshim për të patur produkte të konsoliduara?”- pyet ai.
“Italia kastraveci e transporton edhe si turshi, sallatën jeshile e pastron, e përzien me sallatëra të tjera, e paketon dhe e eskporton. Pra nuk eksportojnë produkte bruto. Ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë. Është e vërtetë që ne nuk kemi hapësira për të kultivuar pasivisht produktet që kultivojmë, por duhet të jemi të zgjuar të konsolidojmë ato produkte që kemi duke i ofruar ndryshe për të tërhequr klientët. Përshembull bimët medicinave. Thjesht i thajmë dhe i eksportojmë, ndërkohë kemi potenciale ta kurojmë produktin dhe të prodhojmë edhe nënproduktet e tyre si vajrat, etj.”- sqaron Shkodra duke shtuar se politikat industriale të shtetit që mungojnë aktualisht janë të domosdoshme.
Sipas tij duhet studiuar se çfarë kemi, çfarë dimë të bëjmë dhe si ti shpiem ndryshe produktet tona në botë.
Në të njëjtën kohë, thotë Shkodra, qeveria duhet të hartojë paketa për eksportuesit dhe ti kërkojë llogari për rezultatet, po ashtu edhe ambasadorët tonë në çdo vend duhet të promovojnë produktet Made in Albania që të shtojnë kontratat.
Prandaj, thonë aktorët e sektorit, eksportet janë në rënie të lirë.(SI)