Kur palët politike bien në një mendje vetëm në situata emergjente

Jemi mësuar të gjithë tashmë që palët politike në vend, pra mazhorancën dhe opozitën t’i shohim gjithmonë me qëndrime të ndryshme e madje më shumë se kaq në qëndrime kontradiktore e konfliktuale me njëra-tjetrën.
Kjo ndodh gjithmonë nisur që nga shkrimet e deklaratat e tyre në rrjetet sociale e foltoret e partive, deri edhe kur bëhet fjalë për vendime në të mirë të vendit që duhen marrë bashkarisht nga palët politike.
Edhe në raste të tilla aktorët politikë thuajse nuk bëhen asnjëherë bashkë, dhe madje në këto raste e ashpërsojnë edhe më shumë retorikën e tyre politike, kur në fakt duhet të bëjnë krejt të kundërtën e kësaj.
Tërmeti i 26 nëntorit që është padyshim edhe një nga fatkeqësitë më të mëdha natyrore të dekadave të fundit për vendin tonë, solli në njëfarë mënyre edhe uljen e toneve nga të dy kampet politike. Dukej sikur nuk ishin më të njëjtët politikanë, sikur nuk flisnin më ata, sikur ua kishin ndërruar fjalorin.
Qeveria kërkonte bashkëpunimin e opozitës e kjo e fundit madje ngriti një grup të madh pune që sipas sipas do t’i vinte në ndihmë situatës, për ta orientuar drejt zgjidhjeve teknike.
Tërmeti solli edhe ndalimin e protestave të opozitës që ajo i kishte nisur tashmë prej kohësh, dhe atmosfera politike në vend dukej se u përmirësua. Palët afroheshin herë herë me deklaratat e tyre dhe opozoita madje siç rrallë herë më parë mbështeste insitucionet dhe shfaqte në mënyrë të rezervuar edhe njëfarë besimi tek puna e tyre.
E kur situata e tërmetit vazhdoi të kalonte disi palët iu kthyen “avazit” të vjetër me ashpërsim tonesh, akuza politike dhe qëndrime që nuk gjenin asnjë pikë takimi.
Por brenda një kohe relativisht të shkurtër palët po gjejnë sërish “kompromis” dhe duket se po bëjnë një lloj armëpushimi mes tyre.
Përhapja e koronavirusit në vendin tonë duket se i ka ofruar edhe qëndrimet e palëve. E si për ta vërtetuar këtë vetëm dy ditë më parë, Kreu i Partisë Demokratike kërkoi që njëri nga prindërit që kishte fëmijë të vegjël në shtëpi të merrte lejë dhe kjo ti paguhej nga shteti. Pa kaluar mirë 48 orë qeveria doli me një vendim zyrtar pikërisht për këtë qëllim.
Pra çështja është se palët politike në vendin tonë gjejnë dakordësi vetëm në momente të vështira dhe emergjente për vendin, ndërkohë që kur bëhet fjalë për të qenë bashkë për perspektivën e vendit, përshembull për procesin e integrimit evropian ata janë gjithmonë të baraslarguar nga njëri tjetri.