Pajisjet anti-COVID, PD: Qeveria i bleu me 2 fishin e çmimit. Reagon MSH

Albana Vokshi dhe Enkelejd Alibeaj e kishin një arsye që u shfaqën sot në dyert e ministrisë së Shëndetësisë.
“Jam sot, bashkë me kolegun Enkelejd Alibeaj për të denoncuar një nga aferat më të mëdha të qeverisë në kohën e pandemisë. Bëhet fjalë për mbi 200 mijë maska dhe mjete të tjera mbrojtëse, të blera nga qeveria me çmime stratosferike…”, thotë Vokshi. Ajo tund para medieve një vendim të qeverisë që e klasifikon sekret tenderin e 21 marsit për blerjen e pajisjeve mbrojtëse spitalore. “Me këtë vendim, Edi Rama mban të fshehur çmimet e këtyre blerjeve skandaloze. Por ne i kemi zbuluar ato dhe sot do t’ia bëjmë të njohur qytetarëve shqiptarëve atë që qeveria fsheh me tenderin 3.5 milionë dollarë”, thotë Vokshi. Por për çfarë bëhet fjalë?
“Bleva dje pasdite në farmaci një maskë mbrojtëse nga ato që ka blerë edhe qeveria. Çmimi ishte 4 mijë lekë”, – shton ajo, duke treguar maskën e blerë me faturën bashkëngjitur.

“Sa lekë e ka blerë Qeveria shqiptare këtë maskë 4 mijëlekëshe? Plot, dyfishin e çmimit, me 8 mijë lekë të vjetra. Pra me pakicë blihet 4 mijë lekë, ndërsa më shumicë Qeveria e blen me 8 mijë lekë të vjetra”, – vëren Vokshi.

Duke treguar tabelat me vlerat e blerjes dhe zhdoganimit, Enkelejd Alibeaj, radhit: “Qeveria i ka zhdoganuar maskat me 3 euro dhe pastaj i ka blerë me 8 mijë lekë copën, ose me rreth 6.5 euro, Pra, Qeveria i ka blerë maskat me rreth 2 fishin e çmimit real. I njëjti skandal, rezulton edhe për materialet e tjera në këtë tender: Qeveria ka zhdoganuar me çmim 9.6 euro veshje spitalore me 1 përdorim dhe pas pak ditësh ka blerë me 28 euro 1 veshje. Po kështu, mbrojtëset me 1 përdorim për sytë Qeveria i ka zhdoganuar me çmimin e tregut 2.9 euro, por i ka blerë me rreth 6 euro copën, dy fishin e çmimit real. Qeveria ka vjedhur edhe me maskat spitalore një përdorimshe për dhoma izolimi. I ka zhdoganuar me 8 euro dhe ia ka blerë kompanisë së preferuar me dyfishin e çmimit real…”. Kjo, sipas PD-së, është vjedhje e pastër duke i kërkuar qeverisë që të anulojë menjëherë çmimet e blerjes
Pas daljes së dy ish-deputetëve të PD-së ka reaguar edhe ministria e Shëndetësisë. Ky dikaster nuk është futur në detaje lidhur me çmimet e denoncuar nga PD-ja, por nënvizon në parim se, “proçedurat për blerjen e materialeve të mbrojtjes personale për mjekët dhe infermierët gjatë kësaj epidemie, janë zhvilluar duke zbatuar legjislacionin në fuqi”.
“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar dhe do të vazhdojë të sigurojë, duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin, mjetet e mbrojtjes personale për personelin mjekësor në këtë situatë pandemie, sepse prioritet i yni është mbrojtja e shëndetit të mjekëve, infermierëve dhe stafeve mbështetëse që ndodhen në vijën e parë të zjarrit, në këtë krizë të paprecedent”, thuhet në deklaratën e ministrisë së Shëndetësisë.