Tragjedi në Greqi, dy zjarrfikës humbin jetën gjatë betejës me flakët në Kretë

Dy zjarrfikës humbën jetën sot, ndërsa po luftonin një zjarr pyjor në ishullin grek të Kretës, njoftoi shërbimi kombëtar i zjarrfikësve, ndërsa disa zjarre shpërthyen në të gjithë vendin për shkak të erërave të forta.
“Dy zjarrfikës humbën jetën në krye të detyrës”, tha Yiannis Artopios, zëvendëszëdhënës i shërbimit grek të zjarrfikësve.
Zjarrfikësit po përballen me një zjarr të fuqishëm dhe jashtë kontrollit në ishullin grek të Parosit, në detin Egje, duke detyruar evakuimin e disa komuniteteve, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi.
Sipas raportimeve të mediave, shërbimet e emergjencës u kanë kërkuar banorëve të largohen drejt plazheve aty pranë.
Fillimisht, nuk pati raportime për të plagosur apo për shtëpi të shkatërruara.
Dhjetëra zjarrfikës janë angazhuar në ishullin e Kikladeve që prej së martës, ndërsa janë kërkuar përforcime nga ishujt fqinjë Naksos dhe Siros, si dhe nga Greqia kontinentale.
Fshati Agkairia konsiderohej zona më e rrezikuar, raportuan gazetat greke “Proto Thema” dhe “Kathimerini”.
Zjarri u përhap nga temperaturat shumë të larta të verës dhe bimësia e tharë. Erërat e forta vështirësuan përpjekjet për shuarjen e flakëve dhe parashikohet të forcohen edhe më shumë gjatë ditës së sotme.