Me palmat që u thanë, mund të strehoheshin 1600 familje me banesa sociale
Aventura e “kozmetikës rilindëse” të mjediseve publike, duke i zbukuruar” me palma anët e rrugëve nacionale dhe trotuaret e qyteteve bregdetare, ka kushtuar shumë shtrenjtë për buxhetin e shtetit, që realisht janë taksa të cilat paguhen nga populli dhe biznesi vendas e i huaj që zhvillon aktivet në vendin tonë! Një nga “spektaklet” dekorative të bëra prej “Rilindjes” me rrugët nacionale e inter-urbane, ishte në aksin kryesor të autostradës Tiranë-Durrës, kur 3 vite më parë, u fut në veprim skenari për të vjedhur miliarda lekë fonde publike dhe nga… gjethet e pemëve! Konkretisht, në datën 30 korrik 2014, ndërsa ky aks kërkonte emergjencë zgjerimi për shkak të fluksit të qarkullimit dhe mungesës së standardeve fizike e teknike, mbi të u hodh një shtresë asfalti sa për “lustër”! U mbollën drurë e shkurre dekorative, palma e ca lule “katundi”, të cilat e ngushtuan edhe më tepër gjerësinë e aksit rrugor, nga të dy krahët. Nuk është fjala tek “dekori”, por tek hajdutëria që është bërë dhe po bëhet. Në mitingun e madhështor të para dy ditëve, ish-kreu i LSI, Presidenti i Republikës i zgjedhur Kushtetueshmërisht, Z. Ilir Meta, denoncoi një fakt: Premtimet e “Rilindjes” janë aq jetëgjata, sa palmat e thara, që kushtuan miliarda lekë! “Çeku” i parë i palmave të mbjella sipas projektit “Rilindja” në autostradën Tiranë-Durrës, ishte 2.4 milionë euro, madje të mbjella në kundërshtim të plotë me standardet e sigurisë rrugore, të cilat u vendos të shkulen me një shpenzim me vlerë 300 milionë lekë!