Ambasada Franceze përkrahë traditën shqiptare në ushqim

Mbrëmë në Rezidencën e Ambasadës Franceze, u organizua një darkë solemne për të celebruar arritjen historike të aprovimit të Specifikacioneve të produktit të Djathit të Sharrit.

Për herë të parë në Kosovë, ndodh që një produkt të bëhet pjesë e Treguesit Gjeografikë.

Hapjen e bëri Ambasadorja Marie-Christine Butel, e cila falenderonte të gjithë të pranishmit dhe ata që ndihmuan në zhvillimin e këtij projekti. Ndër të tjerash ajo shprehej se ky projekt konsiderohet mjaft serioz. ”është një punë shumë serioze, hartimi i këtij projekti ka marrë shumë kohë. Ambasada e Francës dhe Bashkimi Evropian e kanë mbështetur këtë projekt që nga viti 2015”, potencoi ajo.

Ajo poashtu tregoi se në kuadër të këtij projekti është krijuar edhe shoqata e proudhesve të Sharrit, në mënyrqë të sigurohet puna dhe të zhvillohet projekti.

Qëllimi i këtij projekti ka për bazë mbrojtjen e traditës sonë të ushqimit, duke bërë kështu që përmes Treguesit Gjeografik, Djathi i Sharrit, ushqim ky që në Kosovë ka nja traditë të kahmotshme, të ruhet në mënyrën më të mirë të mundshme.

I pranishëm ishte edhe Faton Xhabale, president i shoqatës së produkteve të djathit të Sharrit, i cili tregoi të jetë i kënaqur me përkrahjen që Ambasada Franceze iu ka dhënë. ”Këtë projekt si fillim e kemi nisur në vitin 2013, ku kemi shfaqur dëshirën për mbrojtjen e djathit të Sharrit. Prandaj me ndihmën e Ambasadës së Francës, sot djathi i Sharrit është në procedurat përfundimtare të mbrohet si tregues gjeografik. Gjithë ky studim ka zgjatur mbi pesë vite”, deklaroi ai.

Faton Xhabale, po ashtu tregoi se ky projekt është shumë i rëndësishëm pasiqë Djathi i Sharrit bartë një kulturë të vjetër të ushqimit kosovarë dhe se djath i tillë nuk gjendet askund tjetër.

Joseph Giustiniani nga Ambasada Franceze tregoi  se ka dy vite që jeton në Kosovë dhe se këtu i pëlqen shumë. Sipas tij Franca dhe Kosova kanë shumë gjëra të përbashkëta, njëra më kryesorja është ushqimi.
”Kam dy vite që jetoj në Kosovë dhe ne francezët me kosovarët ndajmë dashurinë e njëjte për ushqimin, kryesisht atë tradicional”.

E për të celebruar si duhet një darkë solemne, kuzhinieri francez me famë botërore Christophe Dovergne, prezantoi receta bashkëkohore dhe kreative, duke nënvizuar lidhjet ndërmjet kuzhinës kosovare dhe asaj franceze.

Ndërkaq, ai njoftoi se do të jetë pjese e një punëtorie gatimi për fëmijët nga mosha 6 deri në 12 vjet, duke synuar kështu që të zbulojë gastronominë franceze dhe traditat franceze të Krishtlindje.

Ky aktivitet u organizua në vazhdën e mbështetjes së Francës për krijimin e një Treguesi të parë Gjeografik në Kosovë. Ku për disa vite me radhë, ekspertët francezë kanë mbështetur institucionet kosovare dhe prodhuesit e djathit të Sharrit në mënyrë që të sigurojnë njohjen e këtij djathi si një tregues gjeografik-emërtim origjine, domethënë një prodhimi bujqësor unik, cilësia e të cilit është lidhur me zonën në të cilën prodhohet dhe me njohuri të veçantë në përgatitje.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT