Kush është shqiptari i arratisur në Amerikë në 1997 dhe synon të drejtojë “FBI” shqiptare (EMRI)

Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit është tashmë një mision, për të cilin trupi diplomatik amerikan i akredituar në Tiranë e kërkon me insistim. Madje edhe ambasadorja e re, e cila sapo ka shkelur tokën shqiptare, e ka konsideruar Drejtësinë në Shqipëri si një prej axhendave të saj të pandryshueshme.

Por, pas SPAK që deri diku ka nisur të paktën zyrtarisht funksionimin, “çelësi” që pritet të hapë derën e hetimeve është Byroja Kombëtare e Hetimit.

Sikurse jeni njohur edhe përmes shkrimeve të tjera të Gazetës Shqip për emrat e mundshëm të kandidatëve, një prej atyre që lë jo pak shenjë është emri i Fatos Dervishit.

Fatos Dervishi që nga viti 1994 e për tre vjet me radhë ka mbajtur pozicionin e zv.prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë. Më pas, për shkak të zhvillimeve të vitit plot trazira dhe një krimi pa fre në 1997 u detyrua të arratisej në Amerikë.

Që prej asaj kohe, Fatos Dervishi mbeti thjesht në listat e juristëve të dikurshëm të akuzës. Por sot emri i tij del në skenë për një tjetër pozicion, shumë më të rëndësishëm se ai i dikurshmi. Fatos Dervishi ka aplikuar për të qenë në krye të Byrosë Kombëtare të hetimit.

A do t’ia dalë?! Kjo pritet pas pak kohësh, kur të jenë mbyllur aplikimet. Fatos Dervishi është një prej juristëve që ka bërë emër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ngriti atje një zyrë ligjore dhe në një rast ka bindur një gjykatë amerikane për të dëmshpërblyer një klientin e tij me 4 milionë dollarë për shkak të dëmtimeve në punë.

Kjo tregon aftësinë profesionale të tij, por nga ana tjetër duhet vënë në dukje edhe një tjetër fakt. Kontributin e tij në Shqipëri, Dervishi e ka kërkuar edhe pak më shumë se një vit më parë, kur aplikoi për të qenë pjesë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, por që u skualifikua.

Në atë kohë shumë zëra thanë se me këtë skualifikim kishte të bënte politika e Tiranës zyrtare. Po a do të dështojë për herë të dytë Fatos Dervishi?! Shumë juristë thonë se këtë herë është ndryshe. Sepse Fatos Dervishi konsiderohet një “amerikan” dhe mund të jetë investim i tyre për BKH dhe besimin që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës tek kjo strukturë, e cila do u fusë “tmerrin” të gjithë atyre që kanë kryer krime, apo zyrtarëve të korruptuar.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT