Nëse Amerika dhe Rusia janë marrë vesh për të ndarë Kosovën, teoritë konspirative që lulëzojnë mes kosovarëve

“Boris Yeltsini ishte njeri i Amerikës”; “Perëndimi e mbajti Slobodan Miloshevicin në pushtet derisa u shkatërrua Jugosllavia”; “NATO-ja e bombardoi Jugosllavinë për të testuar armët e veta”; “Francezët u vendosën në veri që serbët ta ndanin më lehtë Mitrovicën”;
“Trazirat e marsit 2004 i shkaktuan agjenturat e huaja për ta përshpejtuar zgjidhjen e statusit të Kosovës”; “Rugova ishte njeri i Perëndimit”; “Nëse Amerika e Rusia janë marrë vesh për të ndarë është punë e kryer” apo “Amerika s’e do Albinin kryeministër” janë disa prej teorive konspirative që lulëzojnë në mesin e kosovarëve.
Siç thotë “Koha Ditore”, personat e përfshirë në këto diskutime nuk janë vetëm qytetarë të thjeshtë. Ka edhe intelektualë e politikanë, të cilët përtej korrektësisë politike në paraqitjet publike, kanë mendime të ngjashme mbi “fuqinë e padukshme” që vepron kur vjen fjala tek përcaktimi i fatit të popujve më të vegjël.
Qytetarët e Kosovës nuk janë të vetmit që kapen pas teorive konspirative kur vjen puna te ndryshimet e mëdha. Të dhënat tregojnë se rreth 150 milionë qytetarë anembanë botës u besojnë teorive të tilla. Por në Ballkan – ku sipas Winston Churchill, më shumë prodhohen histori sesa konsumohen – ziejnë lloj-lloj konspiracionesh, pavarësisht qëndrimeve zyrtare të fuqive të mëdha që mbrojnë të kundërtën.