Shqiptarët e veriut, as me Kosovë as me Serbi

Bashkim Cimili, zëvendës kryesues i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, thotë se shqiptarët e veriut e shkelim orën policore të vendosur nga Qeveria e Serbisë edhe për komunat veriore të Kosovës, derisa është ankuar se shqiptarët e asaj pjese kanë mbetur në mëshirën e Zotit, nuk u ndihmon as veriu e as jugu .
“As me Serbi, as me Kosovë, as me jug e as me veri, kemi mbetur në mëshirën e Zotit. Ne veprojmë dhe i respektojmë të gjitha rekomandimet dhe urdhëresat e Qeverisë së Kosovës, nuk i respektojmë ato të Serbisë, e shkelim orën policore që e ka vendosur Vuçiqi edhe për komunat veriore.
Dalim edhe pas orës 17:00 dhe askush nuk na thotë asgjë, serbët nuk guxojnë të dalin, ndonëse Policia e Kosovës nuk sanksionon shkeljen e orës policore të Serbisë. Në këtë situatë kur të gjithë rrimë nëpër shtëpi, ende nuk ka dalë askush nga Qeveria e Kosovës që të na vizitojë, që të na ndihmojë, sepse ka familje që mezi mbijetojnë. Komuna veriore e Mitrovicës me sistemin e Kosovës ka hequr dorë krejtësisht, nuk merr asnjë masë, sepse krejt ia ka lënë në dorë komunës paralele, e cila i ndihmon vetëm serbët”, është shprehur zëvendëskryesuesi i Komunës së Mitrovicës Veriore, Bashkim Cimili, i pyetur për gjendjen e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, pas aplikimit të masave për vetizolim, respektivisht pas thirrjeve të Qeverisë së Kosovë që të gjithë të rrinë në shtëpi. Cimili i ka thënë se as komuna jugore e Mitrovicës nuk është interesuar fare për shqiptarët e pjesës veriore në përballje me situatën e krijuar pas shfaqje se koronavirusit.
E ndërkaq, Agim Bahtiri, kryetar i Mitrovicës së Jugut, u ka bërë thirrje të dielën mitrovicasve që të protestojnë me tenxhere e tepsia në përkrahje të kryeministrit Albin Kurti, derisa nuk ka marrë asnjë masë për izolimin e mërgimtarëve të kthyer në Mitrovicë, të cilët të dielën ka shëtitur gjatë gjithë ditës në Mitrovicë. Këtë e ka konfirmuar vetë drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, Erseka Hasanaj – Barani, e cila megjithatë ka sqaruar se të gjithë ata janë evidentuar.
Në anën tjetër, asnjë kryetar i komunave të rajonit të Mitrovicës nuk e ka ndjekur shembullin e kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili u ka dërguar të gjithë qytetarëve një mesazh me kërkesën që të rrinë në shtëpi. Madje, Bekim Jashari, kryetar i Skenderaj dhe Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, nuk janë dukur fare, ndonëse edhe kur dalin në terren nuk i njoftojnë mediet, por e përdorin rrjetin social Facebook për të njoftuar për hapat që marrin.
E kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm për sensibilizim e qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi. Në kuadër të masave për të parandaluar një përhapje më të madhe të pandemisë së COVID-19, në Vushtrri është realizuar edhe një fushatë vetëdijesuese që u bën thirrje qytetarëve të respektojnë distancimin social dhe të qëndrojnë në shtëpi. Në shumë rrugë të qytetit të Vushtrrisë janë parë billbordet të platformës #RriNshpi ku bëjnë thirrje të qëndrohet në shtëpi. “Të gjitha ekipet mjekësore si të QKMF-së ashtu edhe të Spitalit ‘Sheik Zayed’ në Vushtrri, po punojnë me përkushtim maksimal. E vlerësojmë maksimalisht gatishmërinë dhe punën e ekipeve mjekësore për të shërbyer qytetarët gjatë pandemisë së COVID-19 dhe masave parandaluese të saj që janë ndërmarrë edhe në komunën e Vushtrrisë”, ka thënë Tahiri.
Në veri të Mitrovicës aktualisht është duke u zbatuar ora policore prej orës 17:00 deri në ora 5:00, derisa të gjitha marketet dhe shitoret punojnë nga ora 6:00 deri në ora 16:30. Shtabi i Krizës në veri ka thënë se këto masa janë marrë pas rekomandimeve të presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kanë për qellim parandalimin e përhapjes së virusit corona. Sipas rekomandimeve që kanë ardhur nga Serbia, në hyrje të të gjitha marketeve dhe shitoreve në veri do të jetë nga një person, i cili me sprej dezinfekton dhe spërkat duart e blerësve para se të hyjnë, ndërsa në lokal nuk mund të ketë më shumë se 3 persona duke blerë. Gjithashtu duhet të mbahet distanca prej 2 metra. Shtabi i Krizës ka njoftuar se akoma nuk ka të prekur me virusin corona në pjesën veriore të Mitrovicës