Ivanov: Nuk e mandatoj Zaevin pa rrëzuar platformën shqiptare, në rrezik sovraniteti
Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov doli në konferencë për media në lidhje me çështjen e formimit të qeverisë së re.
Ivanov tha se i ka kërkuar liderit të LSDM, Zoran Zaev të hedhë poshtë dhe të mos pranojë platformën shqiptare si kusht për formimin e qeverisë së re.
Presidenti maqedonas tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të dënojë platformën shqiptare, pasi kjo platformë rrezikon sovranitetin.
Ndër të tjera, Ivanov u shpreh se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të imponojë zgjidhje, pasi çdo vendim i gabuar mund të ketë pasoja për shtetin e Maqedonisë.
“Zaevit i propozova që të respektohen afatet prej dhjetë ditësh. Ai ka informuar se LSDM-ja do t’u qëndrojë afateve dhe nuk do të ketë vonesa. Dokument paszgjedhor i partive politike shqiptare i nënshkruar në një shtet tjetër, kurse përmbajtja e saj është jashtë Kushtetutës dhe rrezikon shtetin.
Me platformën shqiptare, Maqedonia është shantazhuar dhe është rrezikuar uniteti dhe sovraniteti i vendit. Platforma na ka futur në një krizë ende më të madhe ku vihen në pikëpyetje themelet e interesave të Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”- tha presidenti Iavnov.