Skema/ Si po rikthehen lojërat e fatit

Edhe pse tashmë janë të ndaluara me ligj prej kohësh, sërish duhet thënë që funksionojnë në mënyrë të paligjshme disa “vatra” që organizojnë baste të ndryshme sportive.
Pikërisht në këtë kuadër policia e shtetit ka arrestuar edhe 115 persona, gjatë kontrolleve që ka zhvilluar në 8 qarqe të vendit. Gjatë aksionit janë sekuestruar edhe shumë të konsiderueshme parash, kompjutera e material të tjera.
Qeveria shqiptare ka ndaluar tashmë prej kohësh me ligj organizimin dhe zhvillimin e lojërave të fatit, pasi ishte kthyer në një fenomen të rrezikshëm për një pjesë të madhe të qytetarëve, të cilët linin në lojërat e “fatit” edhe ato pak para që fitonin për familjen me idenë se do t’i shumëfishonin.
Në fakt që në momentin kur u mbyllën pikat e bastave dhe pikat e tjera të lojërave të fatit, u aludua që kjo nuk mund të ishte goditje përfundimtare pasi do të gjendeshin edhe mënyra të tjera për ta “ringjallur” këtë fenomen.
Ndaj edhe sot lojërat e fatit po rikthehen nëpërmjet rrugëve online. Kushdo që ka një kartë krediti mund të regjistrohet në kompanitë e huaja të basteve dhe të luajë lirisht. E për ata që nuk kanë një të tillë, zakonisht në vend të tyre këtë e bëjnë ata që kanë kartë krediti, duke e bërë kështu tregun funskional si më parë.