SHBA ndëshkon Kosovën, i ndërpret fondet se nuk iu bind për heqjen e taksës

SHBA-ja ka vendosur që të ndërpresë fondet për Kosovën, pasi kjo e fundit ende nuk ka hequr taksën 100% ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, që disa herë ia kishte kërkuar.
Korporata”Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC)”, agjenci qeveritare në Amerikë, bëri me dije se nuk do të ndajë fonde për Kosovën, derisa qeveria e vendit ta heqë plotësisht dhe pa kushte tarifën ndaj mallrave nga Serbia.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi taksës së Kosovës ndaj mallrave nga Serbia është i qartë. Heqja e këtyre taksës do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në reduktimin e varfërisë, nëpërmjet zhvillimit ekonomik”, thuhet në komunikatën e MCC-së.
Agjencia qeveritare amerikane ka thënë se të pezullojë zbatimin e programeve të saj në Kosovë “derisa të zgjidhet çështja e taksës”.
“Vendimi për t’i vazhduar programet e MCC-së varet nga veprimet e Qeverisë së Kosovës. MCC shpreson se Qeveria e Kosovës do të vendosë të zgjidhë këtë çështje të tarifës sa më parë, në mënyrë që të vazhdojnë programet. Sapo të arrihet një zgjidhje, MCC do të vazhdojë operacionet e saj”, përfundon komunikata.